Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaroi së fundmi operatorët ekonomikë lidhur me disa çështje që kanë të bëjnë me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.
Në një shkresë të bërë publike ministria ka sqaruar se licencat profesionale të operatorëve të huaj duhet të konvertohen në vendet e tyre të origjinës sipas kategorive të punëve që kërkohen për këtë projekt.
Nga ana tjetër ministria është ndalur më gjatë sa i takon mënyrën sesi trajtohet oferta dhe kushtet që duhet të plotësohen kur kemi të bëjmë me joint-venture (bashkim shoqërish), shkruan Monitor.
Ministria ka dhënë detaje për operatorët kur mbeten gati dy javë nga mbyllja e procedurës që u hap në 24 qershor. Fondi limit është 18.9 miliardë lekë (pa TVSH), ose rreth 153 milionë euro dhe ndërtimi duhet të përfundojnë për 37 muaj pas nënshkrimit të kontratës.
Sqarimi i plotë i ministrisë për operatorët ekonomikë. “Lidhur me pyetjet tuaja jeni të ftuar të gjeni shpjegimet më poshtë:
Lidhur me pyetjen e parë, të gjithë pjesëmarrësit në Marrëveshjen e Ndërmarrjes së Përbashkët duhet të bëjë konvertimin e licencave profesionale të lëshuara nga vendi i origjinës për kategoritë e punëve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në Republikën e Shqipërisë.
Lidhur me pyetjen e dytë, në rastin e paraqitjes së ofertës nga një bashkim shoqërish apo operatorë ekonomikë, në përputhje me nenin 14.3 të Ligjit Nr. 162/2020 paraqitja dhe shqyrtimi i ofertave do të bëhet në përputhje me Neni 88 i VKM Nr: 285, Datë 19 maj 2021 siç mund ta gjeni më poshtë:
“Neni 88
Bashkimi i operatorëve ekonomikë! Oferta mund të paraqitet nga një bashkim operatorësh ekonomikë, siç përcaktohet në Paragrafët 2 dhe 3, të nenit 14 të Ligjit të Prokurimit Publik, ku njëri prej tyre përfaqëson të tjerët gjatë procedurës dhe, në rast përzgjedhjeje, edhe gjatë ekzekutimit të kontratës. Oferta duhet të specifikojë pjesën e shërbimit, punës ose furnizimit, që do të kryhet nga secili prej anëtarëve që janë pjesë e këtij bashkimi përmes një kontrate bashkëpunimi të lidhur midis palëve.
Anëtarët e bashkimit të operatorëve ekonomikë caktojnë, në kontratën e bashkëpunimit të lidhur midis tyre, përfaqësuesin për paraqitjen e ofertës. Kjo kontratë bashkëpunimi duhet të paraqitet së bashku me kualifikimet dhe ofertën ekonomike, që duhet të nënshkruhen nga përfaqësuesi. Përfaqësuesi gjithashtu duhet të sigurojë ofertën duke specifikuar pjesëmarrje në bashkimin e operatorëve ekonomikë.
Secili prej anëtarëve të këtij bashkimi duhet të plotësojë kërkesat, të cilat përcaktohen në Nenin 76 të Ligjit të Prokurimit Publik, dhe ato të përcaktuara në dokumentet e tenderit. Kërkesat e kualifikimit përfshirë ato ekonomike, financiare, profesionale dhe teknike duhet të plotësohen nga i gjithë bashkimi, në përputhje me përqindjen dhe / ose natyrën e pjesëmarrjes në punë, shërbim ose mallra, siç përcaktohet në marrëveshje. Kur oferta paraqitet nga një bashkim i operatorëve, kushti i përcaktuar në nenin 39, Paragrafi 5, Nënparagrafi “a” i këtyre rregullave duhet të plotësohet nga anëtari që ka përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes në bashkim. Anëtarët e tjerë të bashkimit do paraqesin kontrata të ngjashme në lidhje me përqindjen e pjesëmarrjes së tyre në këtë bashkim. Nëse operatorët ekonomikë, anëtarë të një bashkimi, kanë të njëjtën përqindje të pjesëmarrjes në këtë bashkim, ata do të vendosin mbi marrëveshjen në kontratën e bashkëpunimit se cili prej tyre do plotësojnë këtë kusht.
Operatori ekonomik, anëtar i një bashkimi kompanish, nuk mund të paraqesë oferta individuale në të njëjtën kohë. Nëse bashkimi i operatorëve ekonomikë ndryshon pas paraqitjes së ofertës, kjo e fundit do të refuzohet. Para lidhjes së kontratës, autoriteti kontraktues ose subjekti mund të të kërkojë krijimin zyrtar të bashkimit të operatorëve ekonomikë me marrëveshje të noterizuar. Nëse bashkimi i operatorëve ekonomikë shpallet si fitues, kontrata duhet të nënshkruhet nga secili prej anëtarëve të këtij bashkimi.
Në rast falimentimi të njërit prej anëtarëve të bashkimit të operatorëve ekonomikë ose në një rrethanë tjetër që i jap fund aktivitetit gjatë ekzekutimit të kontratës autoriteti kontraktor apo etniteti përgjegjës mund të vazhdojë kontratën me operatorë të tjerë, anëtarë të bashkimit me kusht që anëtari të gëzojë aftësi juridike, ekonomike, financiare dhe teknike për të ekzekutuar kontratën. Përndryshe, autoriteti / entiteti kontraktues do të mbyllë kontratën” thuhet në publikimin e MIE.