Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka rënë ndjeshëm pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se lufta me Iranin mund të përfundojë shumë shpejt. Deklarata e tij ndikoi menjëherë në bursat globale, duke ulur çmimin e naftës nga nivelet rekord të ditëve të fundit.
Nafta kishte arritur pothuajse 120 dollarë për fuçi të hënën, ndërsa tregjet reaguan me frikë se konflikti në Lindjen e Mesme mund të shkaktonte ndërprerje të gjata në furnizimin global me energji. Pas deklaratave të Trump, çmimi nisi të bjerë dhe në mëngjesin e sotëm u regjistrua rreth 90 dollarë për fuçi, duke sjellë një qetësim të përkohshëm në tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, pavarësisht rënies nga kulmi i ditëve të fundit, nafta mbetet dukshëm më e shtrenjtë krahasuar me periudhën para nisjes së konfliktit. Në të njëjtën kohë, bursat në Wall Street dhe në tregjet aziatike shënuan rritje pas sinjaleve për një ulje të tensioneve.
Trump deklaroi se beson se “lufta është pothuajse e përfunduar”, por paralajmëroi Iranin që të mos ndërmarrë veprime për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës dhe gazit. Në një mesazh në rrjetet sociale, presidenti amerikan theksoi se nëse Irani pengon qarkullimin e naftës në këtë ngushticë, Shtetet e Bashkuara do të godasin “njëzet herë më fort” se deri tani.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare iraniane reagoi menjëherë ndaj deklaratave të presidentit amerikan. Autoritetet iraniane deklaruan se, në përgjigje të kërcënimeve të Trump, forcat e armatosura të Iranit nuk do të lejojnë “eksportin e asnjë litri nafte nga rajoni”.
Gjatë tregtimit në tregjet aziatike, nafta Brent zbriti përkohësisht nën 84 dollarë për fuçi, përpara se të rikuperohej në rreth 93.76 dollarë. Ndërkohë, nafta amerikane shënoi një rënie prej rreth 4%, duke arritur në 90.96 dollarë për fuçi. Ekspertët e tregut theksojnë se rënia e çmimit i dha tregjeve një moment frymëmarrjeje, por paralajmërojnë se situata mbetet e brishtë dhe shumë e paqëndrueshme.
Sipas analistit të energjisë Alberto Bellori, tregu global i naftës ndodhet aktualisht në një “tërheqje litarësh”, ku çmimet mund të rriten me shpejtësi nëse konflikti përshkallëzohet dhe të bien nëse tensionet zbuten.
Ndërkohë, tregjet financiare në Azi reaguan pozitivisht ndaj rënies së çmimit të naftës. Indeksi Nikkei në Japoni u rrit me 2.9%, ndërsa Kospi në Korenë e Jugut u rrit me 5.4%, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve të ditës së mëparshme.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kritike për tregjet energjetike globale, pasi rreth një e pesta e naftës që tregtohet në botë kalon përmes kësaj rruge detare strategjike. Për këtë arsye, çdo tension në këtë zonë reflektohet menjëherë në çmimet globale të energjisë.
Në të njëjtën kohë, vendet e G7 kanë deklaruar se janë të gatshme të ndërmarrin masa për të stabilizuar furnizimin global me energji. Në një takim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë është diskutuar edhe mundësia e përdorimit të rezervave strategjike të naftës, megjithëse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Ministrja britanike e Financave, Rachel Reeves, deklaroi se Londra mbështet një ulje të menjëhershme të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe garantimin e sigurisë për anijet që kalojnë në rajon. Ajo shtoi se Britania është e gatshme të mbështesë një lirimin e koordinuar të rezervave të naftës nëse kjo do të jetë e nevojshme për stabilizimin e tregut global të energjisë.







