Një atentat me armë zjarri ka tronditur mesditën e sotme qytetin bregdetar të Vlorës. Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë në drejtim të një automjeti, tip BMË me targa AB 797 CS, ku po udhëtonte shtetasi i identifikuar si Bledar Birçaj. Krimi ka ndodhur në zonën e quajtur “Bishti i Kalldrëmit”, ndërsa policia në një njoftim zyrtar thotë se krimi ka ndodhur në rrethana të paqarta.
Mësohet se policia është vënë në ndjekje të një automjeti tjetër, që dyshohet se ka qëlluar në drejtim të BMË-së. Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave që ka ndodhur ngjarja.
Njoftimi i policisë
Në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip” BMË” me drejtues shtetasin B. B rreth 40 vjeç ,i cili si pasojë e plagëve të marra është transportuar në spitalin e Vlorës, ku dhe ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet nē vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shërbimet e Policisë të D.V.P. Vlorë, të Komisariatit të Policisë Vlorë po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit.