Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka tronditur qytetin e Laçit mesditën e sotme, pranë zonës së njohur të Kishës së Shna Ndout, një vend i njohur për pelegrinazhe dhe lëvizje të dendur qytetarësh.
Sipas informacioneve të para, të shtënat kanë ndodhur pas një konflikti të çastit mes disa personave, duke rezultuar në plagosjen e pesë personave. Njëri prej të plagosurve ndodhet në gjendje të rëndë dhe po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
Mes të lënduarve është edhe një grua e moshuar, shitëse ambulante, Angjelina Gjezaj, që tregtonte qirinj e lule pranë Kishës dhe Gjykatës së Kurbinit. Ajo është qëlluar në këmbë ndërsa po ecte në trotuar dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Katër të plagosurit e tjerë janë Amarildo Ndoj, Liridon Ismaili, Daniel Gjeloshi dhe Geri Bitri.
Ngjarja ka shkaktuar panik te qytetarët dhe pelegrinët që ndodheshin në zonë në atë moment. Forca të shumta policie janë vendosur menjëherë në vendngjarje për të siguruar zonën dhe për të hetuar rrethanat e konfliktit që çoi në përdorimin e armëve.
Ndërkohë, në Balldre është gjetur një makinë e djegur, që dyshohet se i përket autorëve.
“Pse më sheh?”
Sipas burimeve paraprake, ngjarja ka nisur me një debat banal mes disa personave, që më pas është përshkallëzuar në dhunë fizike dhe ka përfunduar në përdorim të armëve.
“Pse më sheh?” – ky dyshohet se ka qenë shkaku i përplasjes, një shprehje e zakonshme që këtë herë është kthyer në motiv për dhunë. Mësohet se sherri ka nisur pasi një prej të rinjve ka zbritur nga makina me dorezë hekuri dhe ka goditur një tjetër, çka ka sjellë përfshirjen e disa personave të tjerë në konfliktin fizik.
Situata ka dalë jashtë kontrollit kur një person tjetër, i përfshirë në sherr, ka nxjerrë një armë zjarri tip pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të turmës, duke lënë të plagosur pesë persona.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 13.30, pranë ish-Gjykatës së Kurbinit, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit midis disa personave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri shtetasit L. I., A. Gj., G. N., A. N, dhe D.Gj, të cilët janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin ngjarjes, ku kanë bërë të mundur shoqërimin e disa personave dhe në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e plote të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, si dhe për kapjen e shtetasit që qëlloi me armë gjatë konfliktit të çastit, i cili është identifikuar nga ana jonë dhe vijon puna për kapjen e tij.