Tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ngadalësim të ndjeshëm, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve, sidomos në kryeqytet.
Agjentët imobiliarë thonë se qytetarët janë të stepur për të blerë, ndërsa shifrat tregojnë se Tirana ka arritur një nivel çmimesh “tavan”.
Drejtori i shoqërisë së agjentëve të pasurive të patundshme, Reinaldo Pipiria, thekson se kjo situatë kërkon kohë për t’u qartësuar.
“Çmimet në Tiranë janë rritur me shpejtësi më të lartë sidomos nga sektori i ndërtimit. Prandaj shikojmë këtë lloj dinamikash dhe duhet të presim rreth dy vite për të parë se si do vijojë. Ne kemi thënë që Tirana është në pjekurinë e duhur për çmimet, duhet të presim vetëm indeksim apo ulje të çmimit”, deklaron ai.
Megjithatë, Pipiria nënvizon se trendi i rritjes nuk pritet të ndodhë në zonat bregdetare, për shkak të kërkesës së qëndrueshme të nxitur nga turizmi.
“Nuk besoj se do kemi të njëjtat fenomene në bregdet, duke ditur që referencat në bregdet kanë prej 10 vitesh të papërditësuara. Bregdeti ka një kërkesë konstante të sigurtë. Për shkak të sektorit të turizmit, pjesa e bregdetit do të vazhdojë të gjenerojë transaksione.”
Agjentët mbështesin idenë e rivlerësimit të kontratave të porosisë, si një hap drejt formalizimit të plotë të tregut dhe rritjes së transparencës.
“Jemi pro që të rivlerësohen edhe toka banesa në legalizim dhe kontrata porosie dhe kjo do të sillte formalizim të plotë dhe një informacion të plotë të tregut. Një fushatë rivlerësimi që përfshin dhe kontratat e porosisë do të na jepte një ide më të qartë të dinamikës dhe madhësisë të real estate.”
Sipas planit, rivlerësimi i ri i pronave të paluajtshme do të nisë më 1 janar 2026 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator të po atij viti. Propozimi parashikon uljen e tatimit mbi fitimin nga shitja e pronës në 5%, nga 15% që është aktualisht.