DVP Korçë-Në kuadër të operacionit “Midnight 21”, u arrestuan shtetasit Kristiano Ajasllari, Adri Levendi dhe Esli Levendi.
DVP Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 21”.
Transportuan kundrejt fitimit, 23 emigrantë të paligjshëm të cilët i vodhën me dhunë dhe më pas i mbajtën në një banesë të braktisur duke ju hequr lirinë në këmbim të 10 000 eurove, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas.
Gjatë ndjekjes një prej të arrestuarve nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, ndërsa tjetri posedonte shkop metalik në automjet.
Sekuestrohen 3 automjete, 3 aparate celulare, shkopi metalik, sasi në euro dhe lekë.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë në bashkëpunim me DVKM Korçë dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, nën drejtimin e Prokurorisë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 21”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-K. A., 38 vjeç, banues në fshatin Bregas, Maliq;
-A. L., 24 vjeç, banues në Vlorë;
-E. L., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se në fshatin Bregas, Maliq, disa shtetas po mbanin në një banesë të braktisur emigrantë të paligjshëm pa vullnetin e tyre, organizuan veprimet dhe bënë të mundur lokalizimin e banesës në këtë fshat. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient u gjetën 23 emigrantë të paligjshëm.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provat e siguruara, rezultoi se tre shtetasit e mësipërm në bashkëpunim mes tyre kishin transportuar shtetasit e huaj me një automjet tip furgon dhe më pas i kishin fshehur ata tek banesa e braktisur, ku nëpërmjet kërcënimit ju kishin vjedhur celularët e tyre. Në këmbim të lirisë së tyre autorët ju kishin kërkuar emigrantëve 10.000 euro.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë u bë e mundur kapja e shtetasve K. A. dhe A. L., të cilët u konstatuan në fshatin Bregas, me automjetin tip furgon me të cilin kishin transportuar 23 emigrantët me qëllim kalimin e paligjshëm të tyre drejt vendeve të BE-së. Shtetasi A. L., sapo ka konstatuar se ishte në ndjekje nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por menjëherë është kapur dhe neutralizuar. Gjithashtu shërbimet e Policisë kapën edhe shtetasin E. L., i cili po lëvizte me një automjet tip “Audi”, gjatë kontrollit të të cilit u gjet një shkop metalik i ngjashëm me atë të policisë.
Në kuadër të këtij operacioni në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjete, 3 aparate celulare, 1 shkop metalik dhe sasi në lekë dhe euro.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme