Muret, shkallët dhe disa dyer e dritare i kanë rezistuar zjarrit të madh, ndoshta për të mbetur dëshmia e vetme për vjetërsinë qindravjeçare të objektit.
Kulmi, i cili dikur ishte i mbuluar me tjegulla tradicionale, nuk shihet më. Aty kanë mbetur vetëm drunjtë që shpërfaqin vjetërsinë dhe veçantinë e objektit. Struktura nuk ka humbur, vërehet stili osman i ndërtimit mbi themelin me gurë.
Kjo është shtëpia e familjes Koroglu, e cila besohet të jetë ndërtuar në pjesën e parë të shekullit XIX.
Shtëpia konsiderohet prej më të vjetrave në jug të Mitrovicës dhe karakterizohet si tip i çardakut të mbyllur. Ajo nuk ka pësuar shumë ndryshime gjatë historisë, veçse sot është e rrethuar me ndërtesa shumëkatëshe.
E ndërtuar 300 vjet më parë, shtëpia ndodhet jo larg nga qendra e vjetër e qytetit dhe ende e ruan karakterin e destinuar për banim, edhe pse nuk shfrytëzohet si e tillë tash e një kohë.
Objekti, i cili është pjesë e listës së trashëgimisë kulturore për mbrojte të përkohshme në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS), u përfshi nga zjarri mbrëmjen e 31 tetorit – deri tani në rrethana të panjohura.
Adnan Koroglu thotë se ka emocione të forta për këtë shtëpi, në të cilën ka lindur.
“Atë natë [kur është djegur] nuk kam qenë në shtëpi, askush nuk ka qenë, kemi qenë të familjarët. Më kanë thënë ‘eja se po digjet shtëpia e vjetër’, kemi vrapuar me shoqen. Djali më ka lajmëruar, ai ka qenë në dyqan duke punuar, dikush e ka njoftuar atë. Kur kam ardhur, kam parë zjarr në të gjitha anët”, rrëfen për Radion Evropa e Lirë Adnan Koroglu, njëri prej pronarëve të shtëpisë.
Pas ngjarjes së 31 tetorit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, ka thënë se “barbarë janë ata që e djegin kulturën dhe historinë e tyre”.
“Pas një rezistence të madhe nga familja dhe një tentim rrënimi së fundmi, dje [31 teto] patën filluar ndërhyrjet për shpëtimin e shtëpisë së familjes Koroglu në Mitrovicë. Pasi e kuptuan që nuk zmbrapsemi nga detyrimi ynë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, qyqarët, në mënyrë tinëzare, pasi ra terri, ia vunë flakën shtëpisë së shekullit XIX”, ka shkruar Çeku në Facebook më 1 nëntor.
Ai ka thënë se pret “kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve” dhe se “prokuroritë dhe gjykatat tona kanë rol qendror në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”.
Pasi shtëpia u përfshi nga zjarri, policia e Kosovës tha se aty ka gjetur “30 bidonë të mbushur, të shenjëzuar me shenjën me materie të rrezikshme ndezëse”.
Sipas policisë, hetimet fillestare kanë treguar se pronari i shtëpisë, Adnan Koroglu, ishte në dijeni për vendndodhjen e këtyre bidonëve dhe “përkundër zjarrit të shkaktuar, nuk e kishte njoftuar policinë apo zjarrfikësit”.
Kjo solli arrestimin e pronarit të shtëpisë, i cili u ngarkua me veprën penale “mbajtje e paligjshme e substancave dhe mbeturinave të rrezikshme”./rel