Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka reaguar pas akuzave të opozitës në lidhje me zjarrin në spitalin e Tetovës. Pendarovski ka thënë se ai këmbëngul që të ketë përgjegjësi morale dhe politike, por kjo nuk mund të kërkohet në këtë moment, sepse nuk dihet nëse ka bazë për një përgjegjësi të tillë. Ai shtoi se e përshëndet vendimin e qeverisë për të prabuar ekspertë të huaj, në mënyrë që të mos ketë dyshime se diçka po mbahet e fshehtë.
“Unë gjithmonë këmbëngul të ketë përgjegjësi, morale dhe politike, subjektive ose objektive megjithatë nuk mund ta kërkoj në këtë moment sepse nuk e di a ka bazë për një përgjegjësi të tillë. Ajo që e di është se sa më shpejt organet shtetërore dhe ne si shtet në tërësi, të reagojmë shpejt dhe të bëjmë hetim thelbësor dhe të dalim me një raport tek i cili askush nuk do të dyshojë. Prandaj e përshëndeta vendimin e qeverisë për të pranuar ekspertë të huaj që të vinë të shohin se çfarë bëjmë ne dhe të mos ketë dyshime se dikush fsheh diçka dhe që nuk dëshiron të zbulohet diçka deri në fund personat që kanë humbur jetën”, tha Pendarovski.
Në një reagim ditën e sotme, opozita maqedonase i bëri thirrje kryeministrit Zoran Zaev dhe ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe që të mos fshihen nga publiku dhe të dalin me të dhëna të sakta. VMRO-DPMNE theksoi rëndësinë e hetimeve nga ana e institucioneve dhe përcaktimin e përgjegjësisë.