5 Marsi është shpallur ditë zije kombëtare në Shqipëri në nder të viktimave nga përplasja e 2 trenave në Larisa të Greqisë ku hmbën jetën 57 persona, mes të cilëve 6 shqiptarë. Lajmi për 6 shqiptarët e konfirmoi këtë të diel Ministrja Olta Xhaçka, e cila shprehet se kanë humbur jetën, tre vajza dhe tri djem.
Në një reagim të bërë në Facebook, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme ka publikuar emrat viktimave, ndërsa shpreh ngushëllimet familjarëve të tyre.
Bëhet fjalë për Klaudia Lato, Ifigjenia Micka, Erieta Molko, Ioanis Xhiollas, Denis Ruçi, Pavlin Bozo.
Ndërkaq, Greqia ka shpallur 3 ditë zie kombëtare në nder të viktimave. Nga përplasja e 2 trenave, njëri mallërash dhe tjetri pasagjerësh, në Larisa, 130 persona morën lëndime, nga të cilët 66 po marrin mjekim në spital dhe 6 prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Postimi i Ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në Facebook:
Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi. Kaq shumë jetë të prera në mes kaq papritur e në mënyrë kaq tragjike! Në këtë ditë zije një lutje e vecantë shkon për familjarët e 6 bashkëkombësve tanë që humbën jetën në këtë aksident: Klaudia Lato, Ifigjenia Micka, Erieta Molko, Ioanis Xhiollas, Denis Ruçi, Pavlin Bozo.