Mëngjesin e sotëm në fshatin Garunjas të Lushnjes, pas një sherri të nisur për tokën ka mbetur i vrarë një 30-vjeçar, ndërsa janë plagosur babai dhe dy vëllezërit e tij.
Romeo Hasalla ndërroi jetë në vend nga plumbat e marrë, ndërsa babai i tij Shaip Hasalla, 65 vjeç dhe dy vëllezërit Emiljano dhe Laert, të dy 31 vjeç, janë plagosur.
Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital, por megjithatë nuk dihen detaje lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore.
Të dyshuarit kryesorë për vrasjen dhe plagosjen e trefishtë me çifte janë vëllezërit Kastriot dhe Afrim Hasalla, të cilët prej kohësh kishin konflikte me kushërinjtë e tyre të largët për një copë tokë. Madje dhe vrasja ka ndodhur në truallin, i cili ishte kthyer në një “mollë sherri”.
Njoftimi i plotë i policisë:
Sot rreth orës 06:30, në fshatin Garunjas, njësia administrative Bllagat, Lushnje, si pasojë e një konflikti për motive pronësie mes kushërinjve të parë, kanë mbetur të plagosur me armë gjahu shtetasit Sh. H., 65 vjeç,(babai) L. H dhe E. H, 31 vjeç(vëllezër) si edhe ka ndërruar jetë shtetasi R. H, 30 vjeç(vëllai tjetër).
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe kanë shpallur në kërkim autorët e dyshuar, shtetasit A. H dhe K. H., 33 vjeç(vëllezër), ku vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj.