Një ngjarje e pazakontë deri tani ka ndodhur sot paraditen në malësinë e Krujës, mes forcave të Policisë së Shtetit dhe personave që kujdesen për parcelat e hashashit.
Trafikantët e drogës dhe mbjellësit e hashashit kanë qëlluar me breshëri armësh automatike në drejtim të Policisë lokale dhe forcave antidrogë, që ishin nisur për kontroll.
Shkëmbimi i zjarrit ka ndodhur mesditën e sotme në zonën e Herrit në Malësinë e Krujës, mes efektivëve të Anti-drogës dhe kultivuesve të kanabisit në këtë zonë të cilët deri tani kishin punuar të paprekur në një zonë që është kthyer në plantacion marijuane.
Pas përplasjes së fortë me armë, mësohet se në drejtim të vendit të ngjarjes janë dërguar më pas me urgjencë forcat “RENEA”, të nisura nga Tirana.
Deri tani nuk raportohet për njerëz të plagosur apo viktima nga të shtënat me armë, ndërsa nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga ana e Poliocisë së Shtetit në lidhje me operacionin që është në vazhdim.
/Burimi: Faxëeb.al/GazetaReforma.com/