Ka qenë radha e peshëngritësit Erkand Qerimaj për të garuar mëngjesin e sotëm në pedanën e “Tokyo International Forum”. Peshëngritësi i shquar ka konkurruar në baterinë B të peshës deri 81 kg, dhe ia ka dalë të renditet i pari me 338 kg në dygarësh.
Erkand Qerimaj mori maksimumin nga të treja provat në stilin e shkëputjes. Gara e tij filloi me 151 kg, për të vazhduar më pas në 155 kg. Në provën e tretë Qerimaj ia doli të ngrinte 157 kg.
Ndërkohë, peshëngritësi arriti të ngrinte 181 kg në provën e parë në stilin e shtytjes. Në provën e dytë ai tentoi 185 kg, por e ngriti shtangën deri në gjoks, por nuk arriti ta shtynte mirë. Në provën e tretë Qerimaj tentoi të ngrinte 187 kg, por pa sukses.
Me këtë rezultat, 338 kg të ngritura në dygarësh, Erkand Qerimaj u rendit i pari në baterinë B me një diferencë mjaft të dukshme me kundërshtarët, që shkonte në 21 kg me vendin e dytë.
Tashmë, për të përcaktuar renditjen përfundimtare të Erkand Qerimajt, duhet pritur edhe përfundimi i garimit në baterinë A.
Kujtojmë që në pedanë pak ditë më parë zbriti edhe peshëngritësi Briken Calja, në peshën deri në 73 kilogramë. Ai arriti ta mbyllte garën në vendin e katërt, me vetëm një kilogramë që e ndante nga podiumi, duke arritur rezultatin më të mirë për Shqipërinë në një Olimpiadë.