Polonia ka thënë se ka marrë një “përgjigje pozitive” ndaj sugjerimit se Rusia duhet të përjashtohet nga grupi G20 i ekonomive kryesore në takimet në Uashington javën e kaluar.
Reuters raporton se ministri polak i Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë Piotr Nowak tha në një deklaratë se çështja ishte diskutuar dhe se “gjatë takimeve ne bëmë një propozim për të përjashtuar Rusinë nga G20, i cili u prit me një përgjigje pozitive dhe miratim, dhe çështja duhet t’i dorëzohet Presidentit Biden.”
Reuters thotë se nuk ka pasur asnjë përgjigje të menjëhershme nga Departamenti Amerikan i Tregtisë. Nowak tha se Sekretarja e Tregtisë e SHBA-së Gina Raimondo ishte në takim.
Edhe vendet e industrializuara të grupit G7 kanë rënë dakord për një paketë sanksionesh të ashpra. „Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 dënuan ashpër shkeljen e marrëveshjeve ndërkombëtare nga Rusia”, shkruan në Twitter ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss. Si reagim ndaj këtyre zhvillimeve është rënë dakord për masa të koordinuara ndëshkuese me ashpërsim në rritje.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, deklaroi, se vendet e G7 dhe BE-ja janë në unanimitet lidhur me qëndrimin e mëtejshëm ndaj Rusisë. Baerbock tha, se ka parë „një vendosmëri të madhe” gjatë konsultimeve në Paris të shteteve të G7 dhe të BE-së. „Ne deshëm ta parandalonim këtë situatë”, por Rusia tani vendosi për të kundërtën.