Shumë ndryshime në drejtoritë e Policisë së Shtetit. Burime nga Drejtoria e Policisë së Shtetit thonë për “Balkan Web” se janë ndryshuar gjithë drejtorët e qarqeve, përveç Tiranës dhe Gjirokastrës. Raportohet se Gjovalin Loka është emëruar drejtor qarku në Elbasan, ndërsa Ferdinant Mara drejtor qarku në Fier.
Po ashtu mësohet se Edmont Targaj është emëruar drejtor Qarku në Berat. Mes të tjerash, ndryshimet kanë prekur edhe disa zv. drejtorë në Polici. Ndryshime priten edhe në disa qytete të tjera si Vlora dhe Kukësi.
Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Gjovalin Loka, është liruar ditën e enjte nga detyra. Loka e mbante këtë post që prej viti 2018, ndërsa më herët ka mbajtur detyra tjera të rëndësishme në radhët e Policisë së Shtetit, si shef i Komisariatit nr. 1 në Tiranë, Lezhë, Shkodër e Vlorë.
Lirimi i tij nga detyra erdhi në kuadër të reformimit në Policinë e Shtetit, e paralajmëruar pas masakrës së Velipojës nga Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe Kryeministri Edi Rama. Gjovalin Loka pritej që të emërohej në një detyrë tjetër dhe pikërisht kjo gjë ndodhi sot. Lokaj është emëruar drejtor qarku në Elbasan dhe do të vazhdojë të ketë rol të rëndësishëm në Policinë e Shtetit.