Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, nëpërmjet një reagimi zyrtar, ka kundërshtuar sot Gjykatën e Krujës për vendimin e saj lidhur me bllokimin e aktiviteteve tregtare nga gjykatësja Enkelejda Hoxha me 4 masa sigurie, në favor të A&A Group, për operimin e kafeve dhe dyqaneve në aeroport.
TIA kërkon nga Gjykata drejtësi dhe profesionalizëm në lidhje me çështjen e bareve dhe dyqaneve në aeroport.
Më tej, në reagim shtohet se është rast unikal në botë, që vendimi i Zyrës Përmbaruese i dorëzohet TIA-s përpara vendimit të gjykatës, pa asnjë njoftim paraprak.
TIA shprehet e keqardhur për këtë situatë të pashembullt që ndodh një aeroportin e vetëm ndërkombëtar, ku interesat administratores të A&A Group, Aliona Zeqiri, shihen si objekti i vetëm për diskutim ligjor, ndërkohë që paligjshmëria zbatohet për TIA-n në çdo masë sigurie.
Ky fakt i jep udhë uzurpimit të aeroportit me ndihmën e një gjykate, kur dihet që funksioni real i tij është shërbimi ndaj publikut.
TIA bën me dije se kundër gjyqtares Enkelejda Hoxha është bërë ankesë në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, për moskompetencë dhe ushtrim aspak profesional të autoritetit të ligjit.
Kjo është padia e dytë në ILD kundër Hoxhës, pasi më 2 qershor Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin ndaj saj pas ankesës së bërë nga Ministria e Drejtësisë për lirimin e shumë personave të dënuar me burg për jetë, mes tyre dhe Endrit Doklen, ish-numri dy i bandës së Durrësit.
Kush është Enkelejda Hoxha?
Emri i gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha tashmë lidhet me lirimin nga burgu të disa të dënuarve, përmes vendimeve të dyshimta, para se ajo të përballej me Vetingun.
Hoxha u ka hapur dyert e burgut ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle, duke i shuar dënimin përjetë, Genc Tafilit, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.
Në një dalje të veçantë për mediat, lirimin e Dolkes, ministrja Etilda Gjonaj, e cilësoi një kambanë alarmi për drejtësinë.
Njoftimi i plotë
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës i bën thirrje Gjykatës së Krujës për profesionalizëm dhe jo bllokim të aktivitetit tregtar të aeroportitTiranë, 8 Qershor 2020 – Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) i bën thirrje Gjykatës së së Rrethit Krujë për drejtësi dhe profesionalizëm, pas bllokimit së fundmi të aktiviteteve tregtare nga një gjykatëse e vetme, Zj. Enkeleida Hoxha me 4 masa sigurie, në favor të A&A Group, për operimin e kafeve dhe dyqaneve në aeroport.TIA është thellësisht e shqetësuar për një sistem të njëanshëm të drejtësisë që po ndodh në gjykatën e Krujës, ku vendimet – jashtë juridiksonit dhe pa asnjë profesionalizëm – kanë dëmtuar ringritjen e dyqaneve dhe bareve të reja në shërbim të pasagjerëve, duke dhënë masa sigurie të njëpasnjëshme dhe të paligjshme në dëm të shërbimit publik dhe të imazhit kombëtar të aeroportit të vetëm në Shqipëri.
Eshtë rast unikal në botë, ku vendimi i Zyrës Përmbaruese i dorëzohet TIA-s përpara vendimit të gjykatës, pa asnjë njoftim paraprak për TIA-n, duke nënkuptuar shpejtësinë e pazakontë dhe kapërcimin e procedurave që në një proces të rregullt dhe ligjor mund të marrin disa ditë.
TIA shpreh keqardhjen për këtë situatë të pashembullt që ndodh një aeroportin e vetëm ndërkombëtar, ku interesat e një grupi të veçantë, më saktë të Administratorit të A&A Group, Zj. Aliona Zeqiri, shihen si objekti i vetëm për diskutim ligjor, ndërkohë që paligjshmëria zbatohet për TIA-n në çdo masë sigurie. Ky fakt i jep udhë uzurpimit të aeroportit me ndihmën e një gjykate, kur dihet që funksioni real i tij është shërbimi ndaj publikut.
TIA bën me dije se ka përcjellë ankesën e saj në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë kundrejt Zj. Enkeleida Hoxha për moskompetencë dhe ushtrim aspak profesional të autoritetit të ligjit.
Tirana International Airport Shpk dëshiron të sqarojë edhe në interes të publikut, se bazuar në Ligjin Nr.9312 datë 11.11.2004 “Për Ratifikimin e Marrëveshjes së Konçesionit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Konçesionare, “TIA ka të drejtë ekskluzive të zhvillimit tregtar të aeroportit”. Ndaj, përzgjedhja e fituesve të tenderit për baret, restorantet dhe dyqanet, është në të drejtën e zgjedhjes së lirë të TIA-s.Tirana International Airport është gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë. Por nëpërmjet kësaj deklarate, TIA bën thirrje se klima e biznesit merr goditje të rëndë, sa herë kjo drejtësi shtrembërohet.