Fshati i Thethit në zemër të Alpeve shqiptare po përjeton një bum turistik gjatë këtij fillim sezoni veror, me vizitorë që vijnë nga e gjithë bota për të eksploruar natyrën e paprekur dhe mikpritjen e ngrohtë të vendasve.
Turistët e cilësojnë Thethin si një destinacion unik, ku peizazhi malor dhe autenticiteti kulturor e bëjnë eksperiencën të veçantë.
“Nga Gjermania vij. Këtu në Theth është hera e parë, kurse në Shqipëri vij për herë të dytë. Kemi ardhur për të parë alpet e veriut sepse herën e kaluar kemi qenë në parqet e jugut. Këtu po më pëlqen shumë natyra, peizazhi dhe njerëzit shumë të këndshëm dhe miqësor”, tregon një turiste.
Një tjetër vizitor nga Evropa tregon se është kthyer në Shqipëri pas më shumë se një dekade: “Jo nuk është e vështirë ecja këtu, çdo gjë është e parapërgatitur për turistët dhe është një ecje e rehatshme. Natyra shumë e bukur këtu në Theth dhe njerëz shumë të mirë. Për herë të parë isha para 14 vitesh në Shqipëri, atëherë kur thuajse nuk vinte askush dhe nuk ishte as në internet e njohur. Unë thashë asokohe, një vend i paeksploruar dhe më tërhoqi të vij. Sot, pas 14 vitesh, ka ndryshime të mëdha, turistë shumë herë më shumë”.
Një tjetër turiste, që jeton në Skoci por vjen nga SHBA, thotë: “Është hera e parë në Shqipëri, një vend shumë i bukur dhe njerëz shumë miqësor. Vendin tuaj ma sugjeruan disa miq dhe vendosa që të vij”.
Një nga atraksionet më të kërkuara është Syri i Kaltër i Thethit, një burim ujor i fshehur mes maleve që arrihet përmes një shtegu në këmbë për rreth një orë. Edhe pse temperatura e ujit nuk i kalon 5°C, disa turistë guxojnë të futen për një zhytje të shpejtë.
“Shumë bukur këtu por shumë i ftohtë uji. Vij nga Australia dhe jam për herë të parë në Shqipëri. Si dëgjova për Thethin? Në Instagram dhe Tik Tok. Do ja sugjeroj miqve të mi që të vijnë këtu”, shprehet një vizitore. Një tjetër shton: “Është shumë ftohtë në ujë por duhet që ta provoni këtë ndjesi. Unë për vete ndihem i mbrojtur, jam mirë. Sa më gjatë që të rrish në ujë, trupi aq më i ngrohtë bëhet edhe pse fillimisht duket shumë ftohtë. Nuk është e rrezikshme nëse noton këtu afër bregut. Jam nga Irani dhe e dashura ime planifikoi pushimet tona këtu në Shqipëri dhe erdhëm sëbashku. Më pëlqen ky vend, natyrë e bukur, njerëz mikpritës dhe çmime të lira gjithashtu”.
Sipas operatorëve turistikë, këtë sezon janë shtuar ndjeshëm vizitorët nga Franca dhe Spanja. Megjithatë, ata evidentojnë disa shqetësime infrastrukturore.
“Këtë vit sezoni ka nisur më herët, turistët janë kryesisht nga Franca dhe Spanja. Probleme ka, rruga brenda Thethit është shqetësim, e po ashtu edhe shkëputjet e energjisë elektrike”, tha operatori turistik Leo Gjeloshi.
Edhe shoferët që e bëjnë çdo ditë rrugën drejt Thethit kërkojnë ndërhyrje të shpejta për infrastrukturën rrugore: “Turistë ka shumë por rruga në qendër nuk është e mirë, duhet rikonstruktuar”, tha një prej tyre.
Pritet një rritje e numrit të turistëve gjatë muajve të verës, duke e kthyer Thethin në një nga destinacionet më të frekuentuara të turizmit malor në Shqipëri.