Bota nuk do ta arrijë dot objektivin e klimës prej 1.5°C. Ajo duhet të përballet me këtë fakt, shkruan The Economist
Në dhjetor të vitit 2015, në Paris, u mblodhën politikanë dhe negociatorë për Samitin e Klimës, të quajtur “COP21”.
Kjo shënonte përpjekjen e tretë mbi klimën. Përpjekjet e para dhe të dyta për të bashkuar botën në një pakt kuptimplotë, që do të kontrollonte emetimet e gazrave serë, në Kioto në vitin 1997 dhe në Kopenhagën në vitin 2009, kishin dështuar. Nëse do të dështonin për herë të tretë, kjo do të ishte e papranueshme.
Prandaj, në konferencë pati trysni të jashtëzakonshme për të arritur një rezultat konkret. Dhe një grup politikanësh dhe politikëbërësish që përfaqësonin disa nga vendet më të varfra të botës, kishin kërkesa shumë specifike dhe polemike mbi përmbajtjen e marrëveshjes.
James Fletcher, nga St Lucia, kujton se ai dhe përfaqësuesit e tjerë të shteteve të Karaibeve, e kishin “shumë të qartë se 1,5°C ishte një objektiv i padiskutueshëm. Ne e bëmë të qartë se ishim të gatshëm të largoheshim nga negociatat, nëse do të kishte shenja se nuk do të pranohej objektivi 1.5°C në Marrëveshjen e Parisit”.
Shumë shtete ishullore kishin të njëjtën kërkesë. Arsyetimi i tyre ishte i thjeshtë. Për një vend si Maldivet, me më shumë se 80% të tokës më pak se një metër mbi nivelin e detit, më shumë se 1.5°C (2.7°F) ngrohje globale, do të zhdukte pjesën më të madhe të territorit të vendit.
Edhe disa shtete kontinentale që e ndienin veten në rrezik të veçantë, ose kishin një ndjenjë të fortë solidariteti, e përqafuan këtë kauzë. Parisi ishte vendi i përsosur për të marrë një qëndrim të prerë.
Kur nënshkruan fillimisht Konventën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), e cila u negociua në vitin 1992, shtetet e botës nuk ishin angazhuar për një objektiv në lidhje me temperaturën.
Në Paris, më në fund ata do ta bënin këtë. Kufiri që kishin parasysh shumica e vendeve, duke përfshirë të gjithë emetuesit e mëdhenj, ishte 2°C. Ai ishte pranuar, pa asnjë provë bindëse, si një kufi nën të cilin ngrohja globale, megjithëse e papëlqyer, nuk përbënte ndonjë “dëm të rrezikshëm në sistemin klimatik”.
Parashikimet tregonin rritje të temperaturave me 3,5°C ose më shumë, mbi nivelin bazë paraindustrial.
Grupet e shteteve që mbështesnin objektivin 1.5°C, i çuan edhe më larg idetë e tyre, përtej parashikimeve të vëzhguesve. Pas dy javësh negociatash, në marrëveshje u parashikua “kufizimi i rritjes së temperaturës mesatare globale nën 2°C mbi nivelet paraindustriale dhe ndjekja e përpjekjeve për të kufizuar rritjen e temperaturës deri në 1.5°C”.
Pas arritjes së një marrëveshjeje, pati brohoritje dhe përqafime. “Ishte një nga fitoret e rralla të vendeve të varfra dhe të cenueshme në këtë fushë”, thotë Saleemul Huq, veteran i negociatave për klimën nga Bangladeshi.
Dëshira për të arritur
Në vitet pas Marrëveshjes së Parisit, objektivi 1,5°C u kthye në një qëllim kryesor. Kjo u theksua nga një raport i publikuar nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) në vitin 2018, i cili krahasoi gjendjen e botës, nëse rritja e temperaturës do të kufizohej në 1.5°C dhe si do të dukej bota nëse temperatura do të rritej me 2°C.
Edhe me një rritje prej vetëm gjysmë grade, ndikimet dhe rreziqet bëheshin më të këqija në çdo fushë të mundshme, nga peshkimi tek përmbytjet, thatësirat e deri tek ekosistemet e shkatërruara. Në një botë ku temperatura rritej me 2°C, rreth 420 milionë njerëz më tepër do të ekspozoheshin ndaj nxehtësisë, miliona të tjerëve do t’u eliminoheshin mjetet e jetesës.
Një Arktik pa akull do të vihej re një herë në dekadë dhe jo një herë në shekull.
Përveç ndikimeve, raporti i vitit 2018, trajtoi edhe rrugët e emetimit. Përfundimet e tij zyrtarizuan idenë se, në mënyrë që të përmbushej objektivi 1,5°C, emetimet neto duhej të shkonin në zero rreth mesit të shekullit. Slogani “Emetime-zero deri në 2050” u përhap nga politikanë, biznese dhe aktivistë.
Në vitin 2019, nisma e Synimeve të Bazuara në Shkencë, një projekt jofitimprurës që u ofron sektorëve të korporatave dhe atyre financiarë, udhëzime dhe asistencë teknike për planet e tyre mbi klimën, nisi fushatën “Ambicia e biznesit për 1.5°C” me 28 pjesëmarrës të hershëm.
Në bilancin e fundit, 1558 kompani ishin bashkuar. Në vitin 2019, 16% e ekonomisë globale mbulohej nga zotimet për të arritur emetime neto zero; deri në vitin 2021, zotimet për emetime zero deri në 2050, mbulonin 70%.
“Mobilizimi i financave dhe i biznesit është shumë i nxitur nga objektivi 1.5 gradë”, thotë Stephanie Maier nga Climate Action 100+, një grup i angazhimit të investitorëve që zotërojnë asete me vlerë rreth 70 trilionë dollarë.
Urgjenca e shkaktuar nga objektivi 1.5°C, mund të jetë një nga arsyet pse, në vitet pas Marrëveshjes së Parisit, temperaturat kulmore që vihen re në parashikimet se çfarë do të ndodhë nëse vendet respektojnë premtimet e tyre, kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme.
Sipas Programit të Mjedisit të OKB-së (UNEP), diapazoni i temperaturave deri në vitin 2100, është rreth 2.8°C sipas politikave aktuale dhe 2.4°C nëse vendet përmbushin të gjitha angazhimet në lidhje me Marrëveshjen e Parisit. Ky është një përparim i vërtetë.
Në të njëjtën kohë, duke parë se objektivi po trajtohet si i arritshëm, shumë njerëz besojnë se vullneti më i madh politik dhe denoncimet gjithnjë e më të zjarrta të lëndëve djegëse fosile, mund të nxisin edhe më shumë arritje.
Kështu, përpara samitit të klimës “COP26” që u mbajt në Glasgow vitin e kaluar, qeveria britanike përcaktoi objektivat e saj për të përparuar drejt synimit për të “mbajtur gjallë objektivin 1.5°C”. Dy javë më vonë, ajo mendoi se arritjet modeste i kishin siguruar mbështetjen e nevojshme jetike.
Objektiv i paarritshëm
Kjo nuk është e vërtetë. Këtë vit, në Sharm el-Sheikh në Egjipt, për “COP27”, do të ishte shumë më mirë të pranohej se objektivi 1.5 është i paarritshëm.
Një rrugë me një shans 50/50 për të përmbushur objektivin 1.5°C, ishte e besueshme vetëm në kohën e Marrëveshjes së Parisit. Shtatë vitet e ndërmjetme të rritjes së emetimeve, nënkuptojnë se rrugë të tilla janë tashmë të parealizueshme.
Sado guximtare të jenë, politikat mbi uljen e emetimeve, tani nuk mund të arrijnë kurrsesi objektivin për ta kufizuar rritjen e temperaturës deri në 1.5°C, me përjashtim të ndodhive ekstreme si rënia e qytetërimeve, goditja nga një kometë, apo ndonjë shqetësim tjetër natyror tejet i pamundur dhe i tmerrshëm.
Shumica e njerëzve të fushës janë të vetëdijshëm për këtë, ata që nuk janë, duhet ta dinë. Shumë pak e pranojnë publikisht, ose në procesverbale. Është e vështirë të pranohet humbja pas një entuziazmi të tillë. Pranimi do të krijonte edhe idenë se të varfrit janë braktisur, sepse janë ata që do të vuajnë më tepër nga pasojat, pasi të shkelet pragu.
Por duhet të përballemi me të vërtetën dhe duhen hulumtuar pasojat e saj. Çfarë nënkupton për sigurinë e botës një planet 1.5°C më i ngrohtë? A mund të gjejë rrugën e kthimit një botë që po ngrohet gjithnjë e më shumë?
Dhe si do të ndikojë ky dështim në arritjen e objektivit, te besueshmëria dhe qëndrueshmëria e përpjekjeve të ardhshme për të kufizuar ndryshimin e klimës?
Mirë se vini në epokën e re
Për të parë pse objektivi 1.5°C është i paarritshëm dhe për të kuptuar si mbeti realist për aq kohë, duhet të shqyrtojmë buxhetin e karbonit: pra, sasia e emetimeve kumulative të dioksidit të karbonit, që shkaktojnë një sasi specifike të ngrohjes globale.
Buxhete të tilla mund të vlerësohen mjaft mirë nga modelet klimatike; ato janë ndër produktet e tyre më të fuqishme dhe ndër më të dobishmit për politika.
Modelues dhe parashikues të tjerë mund të përpiqen të prodhojnë skenarë emetimi që ofrojnë atë që kërkon buxheti, duke përdorur modele kompjuterike që bashkojnë klimën me ekonominë, të cilat synojnë të jenë në përputhje me shkencën e të dyjave.
Këto nuk lejojnë që shkurtimet e emetimeve të rriten në mënyrë arbitrare, por vetëm me ritme në përputhje me investimet e mundshme dhe nevoja të tjera, si ruajtja e furnizimeve të arsyeshme të energjisë.
Sipas IPCC-së, buxheti që është i nevojshëm për të pasur një shans prej 50% që të shmanget ngrohja mbi 1.5°C, është 2,890 miliardë tonë dioksid karboni. Rreth 2,390 miliardë prej tyre ishin emetuar tashmë deri në vitin 2019.
Kjo linte një buxhet karboni para pandemisë, me vlerë 500 miliardë ton. Që atëherë, 40 miliardë tonë të tjerë janë emetuar çdo vit, duke lënë më pak se 400 miliardë tonë në buxhet.
Çfarë lloj skenarësh mund të imagjinohen për shpenzimin e një sasie të tillë?
Perspektiva e emetimeve negative justifikoi objektivin prej 1.5°C në Marrëveshjen e Parisit. Që atëherë, ajo është kthyer në bazën konceptuale të të gjitha politikave “emetime neto zero”.
Por ndërsa emetimet negative ndihmojnë në krijimin e rrugëve të besueshme, ato përfaqësojnë edhe një joshje të rrezikshme. Mund të vonohet nisja e reduktimeve, të zvogëlohet shpejtësia e rënies së tyre dhe mund të balancohet buxheti, duke shtuar më vonë emetimet negative.
Kështu, rrugët që japin një shans të mirë për të përmbushur kufirin 2°C, tani përdorin shumë më tepër emetime negative sesa rrugët e ngjashme në kohën e Marrëveshjes së Parisit; shkurtimet që nuk janë bërë në shtatë vitet e fundit, janë shndërruar në emetime negative për dekada të tëra.
Një përfundim i paqartë
Kjo ende funksionon për objektivin deri në 2°C. Por jo për synimin 1.5°C. Është deri diku e mundur që modelet të tendosen aq shumë, sa të mund të krijojnë një trajektore që mundëson arritjen e objektivit 1,5°C. Por këto modele kanë disa mangësi shumë të dukshme.
Së pari, ata kërkojnë që një industri e re e madhe e eliminimit të karbonit, të ndërtohet pothuajse nga e para, në vetëm disa dekada. Një skenar i tillë do të eliminonte një miliard ton dioksid karboni deri në vitin 2030 dhe do të çonte emetimet negative të dioksidit të karbonit në mes të shekullit, në 6 miliardë tonë në vit.
Së dyti, trajektore të tilla kërkojnë shkurtime në përdorimin e karburanteve fosile që shkojnë përtej së jashtëzakonshmes, me emetime të reduktuara me 43% ose më shumë, që në vitin 2030.
“Kush beson se ne mund të përgjysmojmë emetimet globale deri në vitin 2030?” pyet Daniel Schrag, një shkencëtar në Harvard, i cili ishte këshilltar shkencor i Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së Barack Obama-s. “Është krejtësisht jashtë sferës së teknologjisë, ekonomisë dhe politikës së botës. A është teknikisht e realizueshme? Mendoj se po. Por është aq larg realitetit, sa që është disi absurde”.
Dhe, së treti, trajektore të tilla ekstreme dhe të pabesueshme, në pjesën më të madhe, nuk e kufizojnë realisht rritjen e temperaturës nën nivelin 1.5°C; ato e tejkalojnë atë paksa dhe përfshijnë në llogaritje emetimet negative, për të ulur më pas temperaturën totale.
Raporti i vlerësimit që IPCC publikoi vitin e kaluar, ka 97 skenarë hipotetikë në kategorinë e tij “tejkalim i ulët ose zero i temperaturës”. Vetëm gjashtë prej tyre nuk e tejkalojnë temperaturën.
Në prill, menjëherë pas publikimit të raportit, Glen Peters nga Qendra Norvegjeze për Kërkimet Ndërkombëtare të Klimës, shkroi se “Nuk ekziston asnjë skenar në vlerësimin e IPCC-së që të arrijë objektivin 1.5°C. Thjesht është i pakapshëm”.
Kjo konfirmohet edhe nga një sërë treguesish të progresit në zbutjen e ndryshimeve klimatike, si ai nga Instituti Botëror i Burimeve. Shumë përpjekje mbi klimën janë në drejtimin e duhur.
Por asnjë nuk është në nivelin e nevojshëm për të arritur objektivin 1.5°C. Modelet dhe ekspertiza e tyre gjithashtu mund të skicojnë kornizat kohore. Emetimet jo vetëm që do ta shtyjnë botën përtej kufirit 1.5°C. Ato ndoshta do ta bëjnë këtë shumë shpejt.
Temperaturat mesatare globale janë aktualisht 1.0-1.3°C mbi temperaturat paraindustriale. Sipas Met Office dhe Organizatës Botërore Meteorologjike, ka një shans prej 48% që temperaturat mesatare globale të jenë 1.5°C më të larta se ato paraindustriale, në të paktën pesë vitet e ardhshme. Dr. Huq spekulon se kjo do të ndodhë përpara se IPCC-ja të nxjerrë në pah vlerësimet e tjera që priten në fund të kësaj dekade.
Dr. Peters ka pothuajse të njëjtën pikëpamje. Raporti i fundit “nga IPCC na paralajmëron për atë që do të ndodhë”, thotë Dr. Huq. “I ardhshmi thjesht do të përshkruajë më shumë humbje dhe dëme që kanë ndodhur tashmë”.
Shkencëtarët e klimës nuk përqendrohen tek ideja e një viti të vetëm mbi 1.5°C më të ngrohtë, ata punojnë me shifra mesatare që anashkalojnë luhatjet nga viti në vit. Kjo do të kërkonte një ose dy dekada të dhënash.
Sapo një vit të kalojë nivelin 1.5°C në ngrohtësi, gjasat që mesatarja së shpejti të rritet në atë nivel dhe të qëndrojë mbi të derisa emetimet të bien në zero, janë shumë të larta.
Me kaq pak kohë në dispozicion, edhe të menduarit “jashtë kutisë” ofron shumë pak shpresë. Kjo do të nënkuptonte që çështja të mos trajtohej thjesht si një çështje e buxheteve të karbonit, sepse klima ka të bëjë me shumë më tepër se kaq.
Disa argumentojnë se nëse do të merreshin masa të prera në lidhje me faktorë të tjerë që ndikojnë në ngrohje, si metani dhe bloza, gjendja mund të ndryshohej. Shkurtime të tilla ia vlen të bëhen, por nuk do ta arrinin dot realizimin e objektivit ambicioz.
Ana e errët e Diellit
Por ekziston gjithashtu një mundësi më radikale e cila nuk mbështetet në dioksidin e karbonit. Gjeoinxhinieria diellore (e njohur edhe si menaxhimi ose modifikimi i rrezatimit diellor), do të përpiqej të ftohte botën, duke ulur sasinë e dritës së diellit që arrin në sipërfaqen e Tokës; pra më pak rreze dielli, do të gjeneronin më pak ngrohje.
Metoda më e diskutuar për ta arritur këtë, përfshin vendosjen e grimcave në stratosferë, për të reflektuar mbrapsht në hapësirë disa nga rrezet e diellit.
Një ftohje e tillë vihet re pas shpërthimeve shumë të mëdha vullkanike; sepse sasitë e mëdha të squfurit që derdhen në stratosferë, krijojnë grimca të vogla reflektuese të “aerosoleve” sulfate. Gjeoinxhinieria do të ishte shumë më pak spazmatike se kaq.
Një rrjedhë e qëndrueshme squfuri do të duhej të spërkatej në stratosferë për dekada, apo edhe shekuj.
Sipas parashikimeve më të fundit nga UNEP, të cilat janë në përputhje me ato të bëra nga të tjerët, nëse vendet do të përmbushnin të gjitha premtimet më të fundit për reduktimin e emetimeve, ngrohja do të arrinte kulmin në rreth 1.8°C mbi nivelin paraindustrial.
Katherine Ricke, studiuese në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, e cila ka bërë shumë studime mbi gjeoinxhinierinë diellore, vlerëson se, nëse një skemë e tillë për ftohjen e planetit do të bazohej në grimcat e squfurit, atëherë një ftohje e nevojshme me 0.3°C për ta ulur ngrohjen e Tokës nga 1.8° në 1.5°C, do të kërkonte që në stratosferë të lëshoheshin rreth 3 milionë tonë squfur në vit.
Do të nevojitej gjithashtu një klasë e re avionësh shumë të avancuar për të transportuar squfurin atje lart, një sistem për të monitoruar se çfarë po ndodh saktësisht në stratosferë, një grup bazash ajrore të përhapura në mbarë botën dhe disa zinxhirë të rinj furnizimi.
Kujdes me ato shkurtime
Përtej këtyre kërkesave praktike, nëse një skemë e tillë nuk do të ishte një burim masiv konflikti politik dhe shqetësimi publik, ajo do të kishte nevojë për një shkallë të konsiderueshme miratimi, praktikisht, nga e gjithë bota.
Kjo do të ishte një kthesë e madhe. Gjeoinxhinieria diellore është trajtuar si një bête noire e politikës dhe shkencës klimatike, për më shumë se një dekadë. Studiuesit dhe grupet mjedisore shqetësohen se përfshirja në këtë nismë do të krijojë një planet të hiper-inxhinieruar, ku gazrat serë vazhdojnë të emetohen pa ndëshkim dhe klima bëhet gjithnjë e më e pabalancuar.
Për të shmangur kalimin e nivelit 1.5°C, do të duhej që një skemë e tillë të funksiononte brenda një dekade, apo pak më shumë. Kjo është shumë jorealiste. Një studim i kohëve të fundit tregoi se do të duheshin 15 vjet që të krijohej një aftësi e tillë. Dhe përpara se të merret një vendim për ta bërë këtë në mënyrë racionale, nevojitet më shumë informacion mbi efektet e mundshme në qarkullimin dhe kiminë stratosferike.
Testet në terren për këtë qëllim, pa dyshim që do të shkaktojnë polemika. Dhe modelet për parashikimin e pasojave të mundshme për sa u përket temperaturave rajonale dhe modeleve të reshjeve, sigurisë së ujit, rendimenteve bujqësore, stuhive tropikale dhe shëndetit të njeriut, do të duhej të ishin shumë më të mira se ato që janë të disponueshme sot.
“Ne kemi nevojë për të paktën pesë vjet për të prodhuar këtë grup të ri studimesh”, thotë Dr. Ricke.
Megjithatë, nëse nisja e një programi të gjeoinxhinierisë diellore do të ishte e ngadaltë, ndalimi i tij do të ishte shumë më i ngadaltë. Shkëlqimi nga squfuri në qiell do të maskonte disa nga efektet e niveleve më të larta të gazit serë, por nuk do t’i ulte këto nivele.
Fuqia ngrohëse e gazrave mbetet e njëjtë. Kjo do të thotë se mënyra e vetme për t’i dhënë fund një programi të gjeoinxhinierisë diellore pa nxitur një rritje të temperaturave, është duke ulur, së pari, nivelet e gazit serë.
Për të kaluar mbi objektivin 0.3°C, kjo do të nënkuptonte heqjen e dhjetëra miliardave tonë dioksid karboni. Nëse bota do ta trajtonte gjeoinxhinierinë diellore si një justifikim për lehtësimin e premtimeve të saj aktuale, sasia e eliminimit të nevojshëm të karbonit do të rritej. Në rastin më të mirë, gjeoinxhinieria diellore vetëm sa do të vononte sfidën e eliminimit të karbonit. Në rastin më të keq, do ta rriste edhe më tepër atë.
Por pranimi i faktit se objektivi historik 1.5°C shumë shpejt do të duhet të braktiset, po i nxit njerëzit që ta marrin më seriozisht klimën sesa në të kaluarën. Komisioni i Objektivave mbi Klimën, i mbledhur nën vëzhgimin e Forumit të Paqes në Paris, është një grup prej 15 ish-kryetarësh qeverish, politikanësh të lartë dhe të tjerë, të kryesuar nga Pascal Lamy, një kryetar i dikurshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë.
Duke pranuar idenë se bota do të nxehet përtej nivelit 1.5°C, komisioni po kërkon për një përshtatje të mundshme. Ai është i vetëdijshëm për rreziqet. “Kjo ka pasoja të pashmangshme. Ne nuk i dimë ende mirë këto pasoja dhe duhet t’i shqyrtojmë ato”.
Oliver Geden, analist i politikave klimatike në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, mendon se kjo ka qenë një nga arsyet pse politikëbërësit nuk kanë qenë të sinqertë në lidhje me kufirin 1.5°C. “Nëse ju thoni se objektivi 1.5°C nuk do të ndodhë, ju krijoni një problem”, thotë ai, “Dhe nuk ka zgjidhje të dukshme për këtë problem”.
Një plan “1.5°C me çdo kusht” do të nënkuptonte gjeoinxhinierinë diellore. Përpjekja për të ndryshuar objektivin në 1.7°C ose 1.8°C, do t’i lejonte kritikët të argumentonin se alarmi kishte qenë i kotë.
Kjo gjithashtu do të forconte thirrjet nga vendet e varfra, që ato më të pasura të ofrojnë mbështetje shumë më bujare për përshtatjen me klimën dhe do të forconte argumentin për shlyerjet e “humbjeve dhe dëmeve” për ata që janë dëmtuar nga ndryshimet klimatike, diçka për të cilën vendet e pasura janë shumë ngurruese.
“Të dyja këto janë politikisht jo tërheqëse”, thotë zoti Geden. “Është më tërheqëse ta konsiderosh planin 1.5°C brenda mundësive”.
Pamundësia për të arritur objektivin 1.5°C nuk do të thotë se thelbi i politikës së Marrëveshjes së Parisit është ndryshuar. Bota duhet të stabilizojë nivelet atmosferike të gazrave serë, duke reduktuar masivisht emetimet dhe duke fituar aftësinë për të ripërthithur ato emetime që nuk mund t’i pakësojë. Dhe është mirë ta bëjë këtë sa më shpejt. Për disa, një objektiv i temperaturës globale ka qenë gjithmonë i pakuptimtë.
Dr. Schrag në Harvard thekson se sistemi klimatik në tërësi funksionon kryesisht në një shkallë “të ndryshueshme”, ku temperaturat më të larta globale sjellin ndikime dhe rreziqe më të mëdha. “1.5°C nuk është një nivel i sigurt dhe njëkohësisht 2.2°C nuk është fundi i botës”, thotë ai.
Megjithatë, siç tregoi IPCC në vitin 2018, shkencëtarët e dinë se sa më pak që të rritet temperatura, aq më mirë është. 1.6°C është më mirë se 1.7°C; 1.7°C është më mirë se 1.8°C. Siç thotë një slogan i ri, “çdo pjesë e një shkalle ka rëndësi”.
Dr. Schrag mendon se asnjëherë nuk është tepër vonë. “Është gjithmonë e vërtetë se ulja e ashpërsisë së ndryshimeve klimatike është një investim i denjë. Nëse do përjetonim një rritje me katër gradë celsius, do të ishte një gjë e duhur që të mos lejojmë të arrihet në gjashtë gradë”.
Vendosja e kontrollit…
Politikisht, një vaktësi e tillë mund të dobësojë thirrjet për veprime drastike klimatike. Të pasurit e një qëllimi absolut, forcon vullnetin e njerëzve; pranimi se gjërat variojnë, hap rrugën për kompromise. Por në këtë rast, realiteti është i pamohueshëm.
Për sa i përket objektivit 1.5°C, ai mund të ketë ende rol për të luajtur. Stabilizimi i temperaturës globale, duke arritur një botë me emetime neto zero, hap mundësinë për emetime negative dhe për uljen e temperaturës.
Niveli i emetimeve negative, dhe çështja e përdorimit të gjeoinxhinierisë diellore, do të varet nga përvoja dhe ambicia. Mund të vijë një kohë kur frenimi i rritjes së temperaturës deri në 1,5°C, mund të bëhet sërish një objektiv tërheqës, por duhen marrë masa më të mençura për ta bërë atë realitet./Revista Monitor/