Policia e Sarandës ka vënë në pranga ditën e sotme një grua, e cila u kap në flagrancë duke trafikuar një të mitur. Mësohet se 50-vjeçarja më inicialet B.M, e cila është banuese në lagjen nr.1 në qytetin bregdetar, është kapur në flagrancë nga Specialistë për Hetimin e Krimit duke trafikuar shtetasin e mitur, R. G. T. 12 vjeç, nxënës në klasën e gjashtë, i cili ishte banor në lagjen Nr 6, Bathore, në Tiranë.
12 vjeçari nga Tirana ishte shpallur i humbur nga familja prej dy ditësh, por fatmirësisht u gjet sot rreth orës 14:30 në lagjen nr.1 në Sarandë, nga blutë e qytetit. Ka qenë vetë babai i të miturit që ka apeluar për ndihmë, pasi 12-vjeçari ishte larguar nga banesa pa asnjë njoftim. Materialet lidhur me këtë çështje iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë për hetime të mëtejshme.
“Nga Specialistë për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë në Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetases B. M, 50 vjeç, banuese në lagjen nr. 1 Sarandë, pasi në orën 14.30 të datës 06.07.2021 në lagjen nr. 1 Sarandë, u kap duke trafikuar shtetasin e mitur, R. G. T. 12 vjeç, nxënës i klasës së gjashtë, banor në lagjen Nr 6, Bathore, Tiranë.“, thuhet në njofton zyrtar të policisë së Sarandës.