Në një situatë tensionimi mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të vendimit të fundit të qeverisë së Kosovës mbi targat, zëvendës sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana deklaroi se forcat e KFOR-it janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në veriun e Kosovës. Komentet pasojnë vendimin e përfaqësuesve politike të serbëve në Kosovë për t’u larguar nga të gjitha institucionet e vendit.
Në një postim në Twitter zoti Geona tha gjithashtu se kishte biseduar mbi situatën e tensionuar në veriun e Kosovës me të dërguarin e Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Si Beogradi ashtu edhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin. NATO dhe KFOR mbeten të vëmendshëm dhe të gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet qëndrueshmëria”, shkroi zoti Geoana.
Në një deklaratë të Bashkimit Evropian thuhej se zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vënë në rrezik shumë vite punë e arritje në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës si dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Bashkimi Evropian u bëri thirrje të palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili sikurse thuhej në deklaratë mund të çojë në tensione të mëtejshme.
“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e vendit nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren”, shkruhej në deklaratën e BE-së.
Brukseli i bëri thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre në kuadër të dialogut dhe të kthehen në institucionet e vendit.
Në të njëjtën kohë, BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton sikurse thuhej në deklaratë, zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM.
Bashkimi Evropian i kërkoi Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, pasi që ky është detyrim ligjor i miratuar nga parlamenti i Kosovës.
“Është përgjegjësi e palëve të garantojnë paqen dhe qëndrueshmërinë. Çdo veprim, si djegia e makinave, ose retorika frikësuese që mund të çojë në tensione, është e papranueshme dhe do të shkaktojë një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian duke u bërë thirje Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë gatishmëri për të kërkuar zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialog.
Mbi situatën reagoi edhe misioni i KFOR-it në Kosovë. Në një postim në Facebook, thuhej se KFOR po vëzhgon situatën dhe po bashkëpunon ngushtë me udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd si dhe me faktorët ndërkombëtarë, për të garantuar siguri për të gjithë njerëzit në Kosovë.
“Ne i nxisim të gjithë që të trajtojnë dhe të diskutojnë cështjet që i ndajnë me dialog konstruktiv”, thuhej në postim, duke shtruar gjithashtu nevojën e shprehjes së mendimeve me një qasje paqësore e frymë kompromisi.
Përfaqësuesit politik të serbëve në Kosovë vendosën të shtunën të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të asaj që e cilësuan moszbatim i marrëveshjeve të Brukselit nga autoritetet në Prishtinë.
Ata thanë se nuk do të kthehen në institucione derisa autoritetet në Prishtinë nuk tërheqën nga vendimi siç e quajtën të njëanshëm për targat dhe të formohet Asociacioni i komunave serbe në përputhje me marrëveshjen e pare të arritur në Bruksel.
Lista Serbe paralajmëroi për të dielën organizimin e një proteste në veriun e kosovës për të kundërshtuar veprimet e autoriteteve të Kosovës.
Vendimi i serbëve nxiti reagime te ashpra të udhëheqësve të Kosovës të cilët akuzuan Serbinë se po përpiqet të destabilizojë Kosovën.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të shtunën se largimi i tyre është akt kundër demokracisë dhe sundimit të rendit e ligjit.
“Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste”, tha Presidentja Osmani përmes një komunikate për opinion duke nënvizuar se zbatimi i rendit dhe ligjit nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar të Kosovës, pa dallim përkatësie etnike.
“Por, vendosja e rendit dhe ligjit përbën rrezik për strukturat ilegale të dirigjuara nga Beogradi të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. Veprimi i sotëm i Serbisë, paraqet tërheqje të saj të njëanshme nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë”, tha ajo duke akuzuar Beogradin për lidhje të ngushta me Kremlinin.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në reagimin e tij akuzoi presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç si vegël e Kremlinit.
“Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd”, tha Kryeministri Kurti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve serbë në Kosovë që të ruajnë qetësinë, paqen, sigurinë dhe të mos i brakstisin institucionet e Kosovës duke rënë pre e siç tha manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike.
Kryeministri Kurti tha se deri tash autoritetet e rendit kanë lëshuar 843 paralajmërime ndaj serbëve të Kosovës lidhur me çështjen e afateve për konvertim të targave dhe se do të vazhdohet njësoj deri me 21 nëntor.
Partitë opozitare në Kosovë shprehën shqetësimin e tyre me situatën në veri, ndërsa i bënë thirrje kryeministrit Albin Kurti, të reflektojë dhe të sqarojë se si do të garantohet ruajtja e rendit publik dhe sovranitetit të vendit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha në një reagim përmes rrjeteve sociale se “zhvillimet e sotme në veri të vendit shënojnë një akt të paprecedent të cënimit të sovranitetit juridik e shtetëror të Kosovës”, tha ai duke nëënvizuar se i takon qeverisë të sqarojë seriozitetin e kësaj situate, duke theksuar se rreziku i përshkallëzimit është i dukshëm.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se përkeqësimi i situatës në veri nuk është në të mirë të askujt ndërsa ju bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës të përmbahen e të mos bien pre siç tha e politikave të gabuara.
“Sa i përket Kurtit, janë momentet e fundit që të reflektojë dhe të ndërprejë shkatërrimin e vendit, përndryshe do të jemi të detyruar ta ndërprejmë ne, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion”, tha zoti Haradinaj në një postim në rrjetet sociale.
Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate u bëri. Thirrje institucioneve të vendit për bashkërendim të ngushtë me aleatët amerikanë dhe evropianë.
“Në kohën e zhvillimeve të fundit në veri të vendit, Kosovës i duhet udhëheqje e matur që nuk bjen në grackat destabilizuese të Serbisë, por që synim ka integrimin e vazhdueshëm e të plotë të serbëve të Kosovës e që mjet të domosdoshëm ka koordinimin e ngushtë me aleatë ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e Lidhjes Demokratike.
Me një nëntor autoritetet e Kosovës filluan zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për targat e makinave që duhet të përmbyllet në muajin prill të vitit të ardhshëm, por kjo po kundërshtohet nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës të cilët nuk pajtohen me vendimin e qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat e lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, RKS.
Diplomatët perëndimorë në vazhdimësi i kanë kërkuar Kosovës të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia për shkak të rrezikut për shtimin e tensioneve dhe krijimin e hapësirës për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./VOA