Pak ditë më parë SPAK ka dhënë masën e sigurisë për ish-ministrin e Shëndetëisë, Ilir Beqaj, i cili akuzohet se ka shërdoruar detyrën lidhur me tenderin e sterilizimit në spitalet publike në vend.
Mirëpo, mësohet se Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duket se nuk është dakord me vendimin e SPAK për masën e sigurisë ndaj Ilir Beqajt për shpërdorim detyre. Sipas një vendimi të nxjerrë GJKKO thotë se ish-ministri ka falsifikuar dokumentat dhe kjo dënohet sipas ligjit nga 6 muaj deri në 5 vjet.
“Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”, thuhet midis të tjerash nga GJJKO.
Gjykata thotë se Prokuroria është përpara një cilësimi juridik të gabuar të që në fazën e hetimit paraprak, ç’ka bie kundër ligjit dhe kushtetutës.
Sa i përket koncesionit të sterilizimit, Gjykata vlerëson se koncesioni përfitoi instrastrukturën falas nga spitalet ndërsa energjia elektrike u pagua nga shteti.
“Jemi të paqartë përse ministria mund të ketë gjykuar që ndërkohë që konçesionari paguhet për shërbimin e sterilizimit, infrastruktura të vihet falas në dispozicion nga spitali, ndërsa shpenzimet bazë si energjia elektrike, uji, avulli të paguhen nga buxheti i shtetit? A jemi këtu përpara shkeljes së ligjit, ku një shërbim i faturohet dy herë buxhetit të shtetit? Kemi parasysh këtu raportin e Kontrolli të Lartë të Shtetit (KLSH), në të cilin ngrihet shqetësimi se në Spitalin Universitar të Traumës, si pasojë e kësaj kontrate konçesionare ka patur një rritje të konsumit të energjisë elektrike me një vlerë rreth 32’000 Euro. Gjithashtu sipas KLSH në Spitalin e Durrësit konçesionari nuk ka ndjekur procedurat ligjore për marrjen me qira të ambienteve të spitalit, si dhe ka rritur kostot e spitalit për energji elektrike dhe ujë në një vlerë 7’706’844 lekë”, thuhet në vendim të GJKKO-së.
GJKKO thekson gjithashtu se Ilir Beqaj në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë lejoi koncesionin duke i shkaktuar dëme të mëdha financiare shtetit ndërkohë që nëse do të ishte vënë në punë qendra e sterilizimit do t’i kushtonte më pak buxhetit publik.
“Në rastin konkret personi nën hetim I.B. në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë ka lejuar të jepet koncesioni në vlerën 9, 657, 000, 000 (pa TVSH) për një afat 10-vjeҫar, ndërkohë që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit nëse do të ishte vënë në shfrytëzim Qendra e Sterilizimit me pajisje moderne kostoja për 10 vite do të ishte 960 000 000 lekë. Pra, ekziston dyshimi i arsyeshëm se me dashje personi nën hetim I.B. i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën 8 697 000 000 Lekë (9 657 000 000 – 960 000 000). Kjo është pasoja duke prezumuar që vlera e kontratës do të ishte aq sa është njoftuar fillimisht në fillin të procedurës, pasi sikurse do të analizohet më poshtë vlera e kontratës së koncesionit nuk dihet me siguri, sepse gjatë zhvillimit të procedurës vlera e kontratës ndryshoi nga vlera totale në shumën 9, 657, 000, 000 (pa TVSH) në një vlerë indikative, ku nuk dihet se sa do të shkojë konsto e konҫesionit në përfundim të afatit 10 vjeçar”, shprehet Gjykata e Posaçme.