Përmes një tenderi të dhënë së fundi, bashkia Tiranë do t’i japë rreth 360 mijë euro kompanisë “Abkons”, 23 mijë euro në muaj, për të regjistruar fermerët e Tiranës.
Në këtë tender morën pjesë dy kompani: Abkons dhe bashkimi i kompanive Grama shpk dhe Albadi shpk.
Por këto të fundit, Grama dhe Albadi u skualifikuan për mosplotësim të kushteve teknike të kërkuara paraprakisht nga Bashkia Tiranë. Të dyja kompanitë, Grama dhe Albaldi, janë kompani ndërtimi. Ato nuk kanë asnjë eksperiencë në vrojtime, anketime, analizë të dhënash, si dhe nuk kanë ekspertë IT, ekspertë të bujqësisë dhe ekspertë të tjerë të kërkuar nga Bashkia Tiranë, shkruan exit.al.
Për më tepër, eksperti kryesor, që kompanitë Grama dhe Albadi e kanë paraqitur si menaxherin e projektit të tyre, rezulton i punësuar pikërisht pranë kompanisë Abkons, e cila fitoi tenderin. Në arsyet e rendituara nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për skualifikimin e bashkimit të dy kompanive shkruhet se:
“Ekspert Kryesor/Menaxher Projekti: “Genti Lame i cili referuar CV rezulton se punon pranë Grama prej 2013, ndërkohë nuk figuron në Listë Pagesa i punësuar pranë këtij OE. Ka të lidhur një Kontratë Individuale pune prej 2013-s me kohë të plotë, por nuk figuron aspak në listë pagesat si i punësuar. Në CV-në e paraqitur rezulton se ka eksperiencë pune prej vitit 2008 si Ekspert Social-Ekonomik pranë ASSA e më tej pranë ABKONS etj..”.
Me shumë mundësi, këto dy kompani kanë shërbyer si fasadë për të legjitimuar tenderin dhe për të shpallur fitues kompaninë e parazgjedhur Abkons.
Por kjo nuk është hera e parë që Bashkia Tiranë ndjek një praktikë të tillë. Vetëm në vitin 2018, Open Data Albania vlerësoi se 173 tendera, nga 644 tendera që Bashkia Tiranë ka bërë për vitin 2018, janë zhvilluar vetëm me një kompani ofertuese, ose të gjithë ofertuesit e tjerë janë skualifikuar për arsye teknike, përveç kompanisë fituese.