Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me kompaninë farmaceutike Rejsi Farma, ka realizuar një procedurë prokurimi publik, e cila ka ngjallur dyshime për një fitues të paracaktuar.
Pjesë e kësaj procedure, e zhvilluar në fund të vitit të kaluar, janë 4 medikamente të shtrenjta, me një buxhet të shtetit prej 8.5 milionë euro, që do të shërbejnë për një numër të vogël pacientësh.
Në fund të vitit 2024, Ministria e Shëndetësisë realizoi 15 tendera me një vlerë totale prej 9,3 milionë euro për blerjen e medikamenteve, ku në 4 prej tyre, fituese u shpall vetëm kompania Rejsi Farma, pa pasur konkurrencë. Ky proces prokurimi u publikua në Agjencinë e Prokurimit Publik më 2 dhjetor 2024 dhe mbyllet më 6 janar 2025.
Objekti i tenderit ishte blerja e barnave spitalore për trajtimin e sëmundjeve tumorale të linjës së dytë, sëmundjeve gjenetike dhe të gjakut, etj. Tenderi ishte i ndarë në 15 lote dhe fituesit e tyre u bënë publikë më 10 shkurt 2025.
Buxheti i alokuar nga Ministria e Shëndetësisë për këto barna me rëndësi terapeutike dhe inovatore ishte 9,3 milionë euro pa TVSH.
Ndërkohë që pacientët në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza përballen me mungesë medikamentesh bazë dhe janë të detyruar që të dalin në farmacitë jashtë spitalit për t’i blerë, Ministria e Shëndetësisë bën një tender të dyshimtë.
Kompania Rejsi Farma ishte e vetmja që mori pjesë në këtë garë dhe fitoi mbi 90% të buxhetit që Ministria e Shëndetësisë kishte alokuar për Qendrën Spitalore Universitare, duke furnizuar QSUT për një periudhë dyvjeçare. Për 11 lotet e tjera, buxheti ishte rreth 800 mijë euro pa TVSH.
Medikamentet përfshijnë trajtime për sëmundje tumorale, sëmundje gjenetike dhe të gjakut, dhe do të shërbejnë për një numër të kufizuar pacientësh.
Dyshimet rreth këtij tenderi janë ngritur për shkak të mungesës së konkurentëve dhe çmimit të lartë të barnave, si dhe për numrin e vogël të pacientëve që do të përfitojnë.
Në raportin e Ministrisë, justifikimi për këto shpenzime është se barnat janë të nevojshme për trajtimin e pacientëve me kushte të rënda shëndetësore, por çmimet e larta dhe fakti që Rejsi Farma është shpallur fituese pa konkurrencë, i kanë dhënë procedurës një nuancë të dyshimtë.
Gjithashtu, as Ministria e Shëndetësisë as Rejsi Farma nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me çmimet, barnat dhe pjesëmarrësit e mundshëm të tjerë në tender.