Qytetarët kanë folur – jo me votë, por me zë. Dhe sa herë janë ngritur për të mbrojtur dinjitetin, mjedisin, punën, jetën e fëmijëve të tyre – kanë pasur të drejtë. A janë dëgjuar mjaftueshëm?
Protestat qytetare që ekspozojnë bilancin e vërtetë të qeverisë Rama
Në prag të zgjedhjeve, ndërsa qeveria kërkon votën për një mandat tjetër, është koha të ndalemi dhe të kujtojmë një realitet që s’gjendet në bilancet e propagandës: numrin e protestave që kjo shoqëri ka qenë e detyruar të bëjë.
Nga 2013 deri më sot, qytetarët janë ngritur për çdo plagë të hapur nga pushteti – për ajrin, për bukën, për të drejtën për të jetuar në shtëpinë e vet, për të mos i varrosur fëmijët në paqen e një plazhi.
Asnjë shoqëri e shëndetshme nuk proteston për gjithçka. E nëse shqiptarët e kanë bërë, herë me duar bosh e herë me pankarta– kjo tregon më shumë për ata që i qeverisin, sesa për ata që ngrihen.
2013 – “Jo armëve kimike”
Qeveria Rama sapo kishte marrë pushtetin kur qytetarët dolën në rrugë për të ndalur një plan që do të kthente Shqipërinë në varr për armët kimike të Sirisë. Tre ditë protestash dhe presioni ndërkombëtar detyruan tërheqjen.
2016 – “Jo plehrave”
Qindra qytetarë, ambientalistë e të rinj ndalën me zë një ligj që lejonte importin e plehrave nga jashtë. Fakti që një betejë e tillë duhej të bëhej, flet për mënyrën si merren vendimet.
2018 – Rruga e Kombit
Taksa e vendosur për autostradën u përjetua si tallje dhe grabitje. Reagimi? Djegie sportelesh, arrestime, dhe më në fund: qeveria detyrohet të tërhiqet.
2018–2019 – Studentët
Mijëra të rinj kërkuan më pak tarifa, më shumë dinjitet dhe të mos trajtoheshin si klientë. Qeveria u përball me bojkotin më të madh universitar që nga ’90-ta. Pjesërisht u tërhoq. Problemet mbetën.
2018–2020 – Teatri Kombëtar
Një qeveri e vendosur për të shembur një godinë. Një qytetari që protestoi për dy vjet pa ndërprerje. Fundi? Prishje me forcë, arrestime dhe një plagë e hapur kulturore.
2020 – Klodian Rasha
Një i ri u vra nga policia që duhet ta mbronte. Tre net revoltë, një ministër dha dorëheqje, por qytetarët s’e harruan më. As ky shtet nuk ndryshoi shumë.
2020–2021 – Naftëtarët e Ballshit
Punëtorë që luftuan për rrogat e tyre, për bukën. Qeveria dha ndihmë minimale, rafineria mbeti e mbyllur. Asnjë përgjegjës. Asnjë ndryshim.
2021 – “Mos ma vrit fëmijërinë”
Dhuna seksuale ndaj një të miture nxiti zemërim dhe kërkesë për drejtësi gjinore. Pesë u arrestuan, por shumë më shumë heshtën. Asnjë reformë rrënjësore në sistem.
2022 – Çmimet e ushqimeve dhe karburantit
Kur fatura e bukës s’mbahej më, qytetarët dolën në rrugë. Qeveria nxori një “paketë rezistence” dhe ngriti borde që na zhvatën legjitimisht. Jo zgjidhje afatgjata. Zemërimi u kthye në heshtje të hidhur.
2022 – “5 Maji”
Shtëpi të shembura, banorë në rrugë, premtime për kompensime. Protestat nuk e ndaluan projektin.
2022 – Jonada, 7 vjeç
Vrasja e 7-vjeçares Jonada nga një skaf i drejtuar nga një oficer policie në Himarë tronditi vendin. Protestuesit kërkuan drejtësi, përgjegjësi politike dhe reformë në sigurinë publike; oficeri u arrestua, por mosbesimi ndaj shtetit mbeti.
2023 – Vjosa, Park Kombëtar
Pas vitesh protestash, lumi i fundit i egër në Europë u shpall park kombëtar. Kjo ndodhi vetëm kur protesta kaloi kufijtë dhe u dëgjua në gjuhë të huaj. Aeroporti në zonë po ndërtohet gjithsesi.
2023 – Bërxulla
Fshatarët protestuan kundër shpronësimeve për një rrugë të re. Protesta nuk e ndaloi projektin, por i detyroi autoritetet të ulin kokën dhe të rishqyrtojnë dëmshpërblimet, që në fakt nuk erdhën kurrë.
2024 – Porto Romano
Kontejnerë me mbetje të rrezikshme pranë shtëpive. Asnjë i dënuar. Asnjë masë. Vdekje që endet para syve tanë.
2024 – 1 Maji i punëtorëve
“Mjaft më me paga që nuk të nxjerrin as te dera”. Qeveria u detyrua të rrisë pagën minimale. Por sindikatat thonë: jemi ende shumë larg dinjitetit.
2025 – “Paga shqiptare, çmime ndërkombëtare”
Emigrimi ka kthyer Shqipërinë në një vend që s’mban më askënd. Punëtorët kërkuan indeksim të pagës me inflacionin. Qeveria premtoi… sërish.
2025 – Lura, kundër HEC-it
Banorët dolën për të mbrojtur një park kombëtar nga betoni. Punimet u pezulluan. Vetëm përkohësisht. Protesta vazhdon.
Reflektim në prag votimi: Sa herë na është dashur të protestojmë, për të mbrojtur atë që s’duhej të rrezikohej kurrë?
Ky artikull nuk është një përmbledhje krenarie. Është një akt-akuze. Një kujtesë e rëndë për çdo vendim të shtetit që nuk u mor me qytetarët, por kundër tyre.
Sepse kur për 12 vite me radhë, qytetarëve u është dashur të dalin në rrugë për të mos u helmuar, për të mos u grabitur, për të mos u përbuzur, për të mos vdekur – çështja nuk është më “pse protestojmë?”, por “pse jemi detyruar kaq shpesh të protestojmë?”
Dhe nëse sot qeveria kërkon një tjetër votë, kemi të gjithë të drejtën të pyesim: A e meriton një tjetër shans një qeveri që për 12 vite na detyroi të ngrihemi, të shpërthejmë, të ulërasim – për gjërat më të domosdoshme në jetë?