Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar s’dimë për të satën herë hapjen e një hetimi të thelluar ndaj Vodafone Albania dhe One Albania për rritje të sinkronizuar çmimesh dhe sjellje të mundshme anti konkuruese. Në letër, lajmi tingëllon si një hap i vonuar drejt mbrojtjes së konsumatorit. Në realitet, është një tjetër episod talljeje institucionale, sepse gjithçka që sot “zbulohet” ka qenë e dukshme prej vitesh për çdo qytetar që paguan faturë celulare në Shqipëri. Ndëshkimi për këto kompani nuk vjen kurrë.
Vetë Autoriteti pranon se tregu celular është një duopol i pastër, ku dy operatorët zotërojnë 100 për qind të tregut. Pranon se ka përqendrim ekstrem, konkurrencë minimale dhe kushte ideale për dominim kolektiv. Pranon se nga viti 2022 deri në korrik 2025 çmimet janë rritur në mënyrë progresive dhe pothuajse identike. Pranon se sa herë rrit çmimet një operator, tjetri e ndjek menjëherë me të njëjtin model. Pranon se paketat janë thuajse kopje të njëra tjetrës. Pranon se nuk ka transparencë kostoje dhe asnjë metodologji të dokumentuar që justifikon këto rritje.
Pra, Autoriteti i Konkurrencës sot shkruan zyrtarisht atë që qytetarët e kanë jetuar në xhepat e tyre çdo muaj. Por pse nuk ka vepruar deri dje? Apo një vit më parë. Apo tre vite më parë, kur çmimet u rritën pa paralajmërim, paketat “pa limit” rezultuan me kufizime dhe zgjedhja reale për konsumatorin u zhduk?
Për vite me radhë, qytetarët janë përballur me rritje të njëpasnjëshme çmimesh, ulje të vlerës reale të paketave dhe shërbim shpesh të dobët. Për vite me radhë, media ka denoncuar hapur këtë situatë, duke e quajtur atë me emrin e vërtetë: duopol i pakontrolluar. Për vite me radhë, Autoriteti i Konkurrencës me në krye Denar Bibën ka heshtur.
Sot, pas reduktimit të tregut në vetëm dy aktorë, pas konsolidimit të plotë të duopolit dhe pas zhvatjes së vazhdueshme të konsumatorëve, institucioni “zgjohet” dhe nis një hetim të thelluar. Një hetim që në thelb konfirmon dështimin e tij shumëvjeçar.
Hetimi pritet të përfshijë periudhën nga 1 janari 2022 deri më 18 nëntor 2025. Një periudhë në të cilën qytetarët kanë paguar çmime gjithnjë e më të larta, pa asnjë përfitim real në cilësi apo inovacion. Një periudhë ku mungesa e konkurrencës ka qenë fakt, jo dyshim.
Problemi nuk është vetëm Vodafone apo One. Problemi është një institucion që ka pasur detyrë ligjore të mbrojë konkurrencën dhe nuk e ka bërë. Një institucion që sot përpiqet të shfaqet si arbitër, ndërkohë që për vite ka qenë spektator. Ose më keq, garant i heshtur i një tregu të mbyllur.
Qytetarët nuk kanë nevojë për njoftime zyrtare dhe hetime të vonuara. Ata kanë nevojë për veprim real, për gjoba konkrete dhe për hapje të tregut. Çdo gjë tjetër është thjesht administrim i dështimit dhe një tallje e radhës me publikun.








