Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur një alarm serioz për projektligjin e portëve turistike, duke e denoncuar zyrtarisht në institucionet kryesore të Bashkimit Europian si një nismë që, sipas saj, shkel drejtpërdrejt marrëveshjet me BE-në dhe cenon rëndë interesin publik.
Pak para nisjes së seancës plenare ku pritet të diskutohet ligji, Tabaku bëri të ditur se i është drejtuar me shkresë Komisionit Europian, autoriteteve të konkurrencës në BE, Parlamentit Europian dhe delegacionit të BE-së në Tiranë. Sipas saj, nuk bëhet fjalë për një debat të zakonshëm politik, por për një çështje që prek thelbin e marrëdhënies së Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Tabaku theksoi se ndryshimet në ligjin për portet turistike bien ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe prekin drejtpërdrejt kapitujt 5, 8 dhe 14 të legjislacionit europian. Sipas saj, ky është një tjetër rast ku ligji përdoret për të favorizuar interesa të caktuara në kurriz të publikut.
“Ligji për portet turistike është një tjetër ligj me porosi, një ndër dhjetëra të tillë që kanë kaluar në Kuvend, duke mbrojtur interesa të veçanta dhe jo interesin publik,” u shpreh Tabaku.
Ajo e cilësoi këtë projektligj si kulmin e një modeli qeverisjeje ku asetet publike dhe pronat shtetërore po shpërndahen pa garë dhe pa transparencë, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për ekonominë dhe konkurrencën e lirë.
Në thelb të kritikës së saj qëndron fakti se, ndërsa për procedura minimale kërkohen standarde dhe gara, për pasuritë më të mëdha publike po veprohet në mënyrë të kundërt.
“Në çdo prokurim publik, qoftë edhe për një stilolaps, kërkohet garë dhe procedurë. Ndërsa për pasuritë më të mëdha publike, ato jepen pa garë. Kjo është e papranueshme,” theksoi ajo.
Tabaku ngriti gjithashtu shqetësimin se kjo mënyrë veprimi bie ndesh edhe me angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të negociatave me BE-në, konkretisht për pezullimin e ligjit për investimet strategjike. Sipas saj, në vend të tërheqjes, po ndodh zgjerimi i privilegjeve për investitorë të caktuar.
Ajo kritikoi edhe procedurën e përshpejtuar të miratimit, duke e cilësuar si një ndër më të shpejtat në Kuvend, çka sipas saj ka shmangur qëllimisht debatet dhe konsultimet e nevojshme për një ligj me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë dhe pasuritë publike.
Tabaku u bëri thirrje institucioneve europiane dhe vendeve anëtare që të reagojnë dhe të rrisin vëmendjen ndaj ligjeve që miratohen në Shqipëri, duke theksuar se çështja nuk është vetëm ligjore, por lidhet drejtpërdrejt me shtetin e së drejtës dhe rrugën europiane të vendit.
“Sot është momenti që të ketë më shumë vëmendje për çdo ligj që miratohet në Shqipëri, sepse këto nuk janë thjesht akte ligjore, por prekin drejtpërdrejt procesin e integrimit dhe shtetin e së drejtës,” përfundoi ajo.








