Ditën e sotme Komiteti i Mbrojtjes Civile u mblodh për të diskutuar rreth situatës së krijuar nga reshjet me intensitet të lartë gjatë orëve të fundit, veçanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë, ku rreziku për përmbytje është edhe më i lartë, por edhe në bashkitë Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier.
“Me kryetarët e bashkive dhe Prefektët e këtyre qarqeve rakorduam planin e masave parandaluese dhe lehtësuese për menaxhimin e situatës edhe në orët në vijim, që sipas parashikimit të motit do të jenë me reshje të shumta.
Jemi çdo minutë në monitorim të situatës. Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për çdo nevojë të pushtetit vendor dhe qytetarëve”, bën me dije Ministria e Mbrojtjes.
Gjithashtu ministrja e Bujqësisë Frida Krifca thotë se Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, me anë të katër Drejtorive Rajonale është në kontakt me fermerët dhe kujton rekomandime të hollësishme se si ata duhet të tregohen vigjilentë për të marrë masa në mbrojtje të shëndetit dhe jetës së kafshëve në fermë dhe prodhimeve bujqësore.
Postimi:
Të dashur fermerë,
Ndërsa situata meterologjike vijon të jetë e ngarkuar, me reshje të shtuara dhe erëra të forta, jemi duke mbajtur në monitorim të gjithë hidrovorët përmes Drejtorive tona të Ujitje Kullimit të cilët deri tani paraqiten në kuota normale. Drejtoritë janë në gatishmëri dhe komunikim të vazhdueshëm me strukturat e Emergjencave Civile, Bashkitë dhe OSSHE.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, me anë të katër Drejtorive Rajonale është në kontakt me fermerët dhe kujton rekomandime të hollësishme se si ata duhet të tregohen vigjilentë për të marrë masa në mbrojtje të shëndetit dhe jetës së kafshëve në fermë dhe prodhimeve bujqësore.
Rreziku i shkarkesave elektrike nga kushtet klimatike kërkon kujdes të veçantë në tufat e blegtorisë që ndodhen në kullota, ndërsa intensiteti i lartë i reshjeve të shiut mund të shkaktojë përmbytje të tokave bujqësore apo serave. Për të kërkuar ndihmë në raste përmbytjesh, mund të kontaktoni në numrin e gjelbër 08003366.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve [email protected].
Bashkë për Bujqësinë
Bashkë për Shqipërinë