Insituti i Studimeve Politike merr në analizë reflektimin e 4 qeverive të fundit ndaj akuzave për korrupsion dhe ndryshimet në kabinete. “Qytetarët marrin pjesë në zgjedhje, partia që fiton zgjedhjet ka kryeministrin dhe krijon qeverinë, – kjo e fundit, teorikisht, duhet të reflektojë votën dhe pritshmërinë qytetare. PD fitoi më 2005 me kartën e antikorrupsionit dhe humbi më 2013 e akuzuar për korrupsion. PS fitoi më 2013 me kartën e antikorrupsionit dhe më 2020 është nën akuza të shumëfishta për nivel të lartë korrupsioni. Alibia, sipas të cilës, uji është i pastër në burim, por turbullohet gjatë rrugës, – e përdorur gjerësisht edhe në kohën e diktaturës, vijon të jetë tezë politike edhe në tranzicion”, shkruan ISP.
Liderit tanë janë historikë, të fuqishëm, të ndershëm, reformatorë, europianë, modernë, por fajin e kanë të tjerët, – shkruan ISP,-ata që emërohen prej tyre dhe që zbatojnë porositë e tyre! Kjo është alibia. Në fakt, sistemi ynë ka qenë dhe është piramidal, – lideri merr vendim dhe të tjerët vetëm sa i zbatojnë ato. Nuk ka numra dy në partitë politike, ka 1, 1, 1, 1, 1, dhe ca të tjerë!
”Për memorie le të shohim sesi është bërë karriera politike dhe sa është respektuar “vullneti” qytetar në rotacionet politike 2005 dhe 2013. Referuar statistikave të Institutit të Studimeve Politike (ISP) më 2005 PD krijoi një kabinet, 6 ministra të të cilit (Mediu, Bode, Ruli, Pollo, Bumci, Olldashi) mbijetuan deri më 2013. Ndryshuan poste, provuan sfida të tjera, por mbijetuan dhe erdhën në pushtet si ministra, ikën gjithashtu si ministra. Bashkë me kryeministrin. Më 2013 e majta erdhi në pushtet me “1 milion shuplaka” ndaj të djathtës, e cila në fakt kishte qenë në pushtet me gjysmën e të majtës 2009-2013. Pas 7 vitesh dhe në prag të përfundimit të mandatit të dytë, kryeministri ishte dhe është në post prej 2013, por në kabinetin e tij kanë mbijetuar vetëm dy ministra (Çuçi dhe Ahmetaj). Edhe këta kanë lëvizur ca kohë, por mbijetuan dhe erdhën në pushtet si ministra, po përballen me sfidën e ikjes nga pushteti si ministra. Shumë emra të PD 2005 apo PS 2013 nuk janë më aktiv në politikë, disa nuk jetojnë më, disa në pension, të tjerë janë ricikluar, por në thelb, asnjë prej tyre nuk u përball asnjëherë realisht me drejtësinë. Ishin dhe mbetën të paprekshëm, pavarësisht kauzave antikorrupsion apo për rilindje, 900 mijë apo 1 milion votave pro/kundër”, thekson studimi.
Sipas ISP, zgjedhjet e 2021, janë zgjedhjet e dhjeta në 30 vjet dhe të dytat me kryeministra që konsumojnë 8 vite pa ndërprerje në pushtet. “Zgjedhjet e 2021 mund të jenë një statistikë më shumë, nëse nuk ofrojnë zgjidhje për problemet dhe zgjidhjet vetëm në skenarët e Hollywood vijojnë nga ata që në të vërtetë janë pjesë e problemit ose vetë problemi!” përfundon shkrimi i ISP.
/GazetaReforma.com/