Një operacion ndërkombëtar i autoriteteve spanjolle, në bashkëpunim me Policinë Shqiptare, EUROPOL dhe EUROJUST, ka çuar në shkatërrimin e një tjetër celule shqiptare të një rrjeti kriminal transnacional.
Sipas Policisë Kombëtare të Spanjës, janë arrestuar 26 persona dhe janë ushtruar 47 kontrolle, një prej të cilave në Tarragona dhe pjesa tjetër njëkohësisht në Shqipëri.
Gjithashtu, në Kosovë është çmontuar një laborator për falsifikimin e dokumenteve.
Banda dyshohet se ishte e përfshirë në një aktivitet të gjerë kriminal që përfshinte emigracionin e paligjshëm, trafik droge, armësh dhe bizhuterish të vjedhura.
Falsifikimi i dokumenteve ishte një nga hallkat kryesore të funksionimit të saj, duke u mundësuar emigrantëve shqiptarë të udhëtonin në destinacione si Mbretëria e Bashkuar, Irlanda apo SHBA, me pasaporta të falsifikuara të shteteve të Zonës Shengen.
Sipas hetimeve, anëtarët e rrjetit udhëtonin rregullisht nga Shqipëria në Spanjë, përmes Serbisë dhe Hungarisë, duke transportuar emigrantë në furgonë drejt Barcelonës dhe Tarragonës.
Gjatë këtyre rrugëve, shpesh kontrabandoheshin edhe drogë, armë, municione apo sende me vlerë. Pasi mbërrinin në Spanjë, emigrantët pajiseshin me dokumente të falsifikuara dhe udhëzoheshin si të kalonin kontrollet në aeroportet, kryesisht në El Prat, për të shkuar në destinacionin final.
Në disa raste, grupi përdorte një metodë të sofistikuar për të shmangur kontrollet kufitare.
Emigrantët udhëtonin me dokumente origjinale drejt një vendi jashtë BE-së që nuk kërkonte vizë, për të hyrë në zonën ndërkombëtare të aeroportit. Aty, më pas përdornin dokumente false për të fluturuar drejt Mbretërisë së Bashkuar ose Irlandës.
Hetimet zbuluan gjithashtu se disa anëtarë të grupit ishin të armatosur dhe të përfshirë më parë në përplasje me armë për shkak të pazareve të drogës me organizata rivale.
Gjatë arrestimeve janë sekuestruar 13 armë zjarri, afro 3,000 fishekë, qindra bizhuteri të vjedhura dhe pajisje për bllokimin e sinjaleve telefonike.
Ky është faza e shtatë e një operacioni që nisi në vitin 2019 dhe që ka çuar deri tani në arrestimin e 82 personave në disa vende evropiane.
Rrjeti kishte lidhje edhe me grupe që kultivonin marijuanë në Katalonjë, një aktivitet ku janë ndaluar dhjetëra shqiptarë vitet e fundit.