Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të zbatuar vendimin e GJKKO-së për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Ajo po hetohet për tre akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash.
Kryemadhi mbërriti në SPAK rreth orës 10:00 dhe, duke biseduar me gazetarët, bëri batuta duke thënë: “Sot ju kemi të gjithë kështu seri.”
Ajo gjithashtu uroi gazetarët për festat e fundvitit: “Gëzuar një vit i mbarë.”
Gjykata kishte lënë në fuqi më 23 tetor masën “detyrim paraqitje” ndaj Kryemadhit për veprat penale të ngritura ndaj saj, njësoj si dhe për të hetuarën Ema Çoku për pastrim parash.
Po ashtu, ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa “arrest në shtëpi” me “detyrim paraqitje”.
Të tre të hetuarit, që ndodhen nën këtë masë sigurimi, janë të detyruar të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.