Sot në Shqipëri festohet Dita e Verës, në nderim të natyrës së bukur dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Në Lezhë, Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte.
FAZAT:
Festa pagane ka ritualin e saj. Ritet janë trashëguar brez pas brezi ndoshta për 24 shekuj me radhë. Dikur dedikimet i kushtohen perëndisë Diane, sot ato praktikohen për një jetë më të mirë, të mbushur me gëzim, dashuri dhe begati.
Faza e parë është faza përgatitore qe nis me grumbullimin e zaireve që janë të nevojshme për Ditën e Verës. Faza e dytë është nata e Verës që nis me 13 mars me zjarrin, faza e tretë mëngjesi i Ditës së Verës që nis me 14 mars dhe së fundi pikniku i Ditës së Verës në mesditën e 14 marsit.
Në vigjilje të natës se Ditës së Verës, çdo shtëpi është e mbushur me një gëzim të veçantë, është një ndjesi që i pushton njerëzit fare pa e kuptuar. Ndoshta nga ndikimi i diellit, gjelbërimit apo shpërthimit të farës dhe sytheve që janë shprehje e begatisë dhe vazhdimësisë. Shtëpia mbushet plot me gjëra të mira dhe me bollëk.
Porta zbukurohet me lule dhe lastarë të gjelbër, te cilët simbolizojnë futjen e mirësisë dhe natyrës. Gjatë kësaj nate të afërmit, por edhe shokë e miq të ardhur nga viset e tjera, këndojnë këngë te vjetra. Disa nga gjellët, qe nuk i gjen ne vend tjetër, janë tava me pistil, tava e kosit, kabunia, çomleku, gjeli i detit. Mëngjesi është i gëzuar dhe festiv. Elbasanasit zgjohen herët me 14 mars dhe me një përkushtim të veçantë hapin derën që të futet e mira dhe të dalë e liga.
Buka e Derrit
Sytë lahen me lulet e verës, me manushaqe dhe me karakafte (lloj luleje) dhe me pas pihet ujë ne “bukën e derrit”, që është një zhardhok që gjendet nën tokë në zonat me pyje dhe gjelbërim. Uji në “bukën e derrit” simbolizon një vit të shëndetshëm dhe të begatë. Gjithashtu, një zakon tjetër që ruhet në këtë ditë, është zierja e vezëve natën e datës 13, dhe larja e syve me ujin e vezëve të ziera në mëngjesin e ditës së verës. Veç kësaj, ditën e verës, lidhet në dorë një “verore” që është si byzylyk i formuar prej një fijeje të kuqe dhe një fijeje të bardhë. Verorja hiqet kur sheh dallëndyshen e parë, dhe hidhet në ferra që dallëndyshja ta marrë për të bërë fole. Të gjitha këto janë rite që kryhen për të kremtuar ardhjen e pranverës, çeljen e luleve, rikthimin e dallëndysheve e gjallërimin e jetës.
Vizitat
Mëngjesi i 14 marsit nis me vizitat tek te afërmit, ku djali me i vogël i familjes nxiton të dërgojë hisen e ndarë. Pikniku nis në orën 10:00. Por vitet e fundit aktivitetet për rastin e festës nisin një orë më parë.
Kopshtaret e luleve dhe këngët e traditës
Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet dhe këngët. Lulet më karakteristike në Elbasan janë jasemini, karafili, trëndafili, zymbyli, karakaftet. Kultivuesit kujdesen për lulet në mënyrë që ato të shpërthejnë Ditën e Verës.