Në vitin 2016 qeveria bëri ndryshime themelore në ligjin organik të buxhetit i cilësuar ligji “Për Memenaxhimin e Sistemit Buxhetor” nëpërmjet të cilit u ngritën një seri strukturash dhe kompetencash të reja më qëllimin final rritjen e eficencës së përdorimit të fondeve publike, por në realitet thesari i shtetit ka kryer miliarda lekë pagesa bazuar në fatura, ku punimet nuk verifikohen.
Rasti me i pastër janë pagesat për inceneratorët e Tiranës dhe Fierit për të cilat janë paguar nga thesari i Ministrisë së Financave fatura të rreme punimesh, pavarësisht se kuadri ligjor nuk e lejon një manovër të tillë.
Burimet nga Ministria e Financave që kanë njohuri të thelluara për mënyrën si funksionon thesari shpjeguan se pagesat për punimet të pakryera kanë ardhur si rrjedhojë e mosfunksionimit të hallkave të tjera të administratës që kanë për detyrë kontrollin e punimeve në terren dhe kryesisht supervizorit.
Eksperti i Financave shpjegoi se neni 54 i ligjit “Për Memenaxhimin e Sistemit Buxhetor” përcakton se “Përpara kryerjes së pagesave, sistemi i thesarit kontrollon:
a) ekzistencën e angazhimit;
b) dokumentacionin bazë, që vërteton shërbimin e kryer;
c) ekzistencën e mjeteve monetare të mjaftueshme për kryerjen e pagesës.
Sipas Ministrisë së Financave Përshkrimi i Faturës: përmban qëllimin e pagesës si dhe referenca të dokumenteve justifikues që shoqërojnë kërkesën për pagesë (p.sh. Numrin e faturës së furnitorit, numrin e kontratës, etj).
Eksperti sqaroi se në rastin e investimeve, faturat duhet të jenë të shoqëruara me konfirmimin e supervizorit për situacionin e punimeve.
Sipas tij kjo hallkë që paguhet me fondet e taksave të shqiptarëve shpesh është tërësisht e korruptuar. Kur në thesar vjen një faturë për investimin e planifikuar dhe ka nënshkrimin e supervizorit paguhet menjëherë. Verifikimi në terren është e detyre e ministrisë së linjës, supervizorit dhe më pas është objekt kontrolli i auditit të brendshëm të qeverisë dhe KLSH-së, shpjegoi eksperti.
“Isha dëshmitar kur një pagesë miliona euro për një aks rrugor u krye nga thesari. Por rastësisht kalova pranë objektit dhe pashë që as tabela e punimeve nuk ishte vënë. U ktheva i alarmuar në Ministri dhe i propozova eprorëve ngritjen e njësie rrisku pranë drejtorisë së Thesarit për të verifikuar nëse pagesat e mëdha të investimeve po shkonin në destinacion, por kjo kërkesë nuk u mor asnjëherë parasysh”.
Eksperti tha se janë se paku 8 ligje dhe udhëzime që garantojnë përdorimin rigoroz të fondeve publike, dmth që nuk lejojnë pagesa nga thesari pa bërë punime, por në praktike ato nuk zbatohen.
Buxheti i shtetit krahas vlerës së investimit paguan supervizorin e punimeve një strukturë e pavarur nga investitori, pikërisht për të garantuar se kontrata me shtetin për punimet po zbatohet. Gjithashtu për çdo investim publik ka një strukturë oponencë që shikon zbatimin e projektit për nga përputhshmëria ligjore, eficenca dhe harmonia me mjedisin.
Ndërkohë ekziston ligji për, “Kontrollin i Brendshëm Financiar Publik”, Ligji për ‘Për Auditimin e Brendshëm në Sektorin Publik”, ligji “për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” dhe dhjetëra udhëzime që rregullojnë miradministrimin financiar.
Rasti i inceneratoreve tregon se buxhetit i shtetit ka bërë se paku 103 milionë euro pagesa shumica fatura të rreme. Eksperti shpjegoi se pagesa për fatura të rreme janë bërë edhe për raste të tjera.
Ai tha se, i gjithë hetimi për inceneratorët ka lënë të paprekur mënyrën se si janë bërë pagesat për investime fantazmë nga buxheti i shtetit në një kohë që një seri ligjesh vijojnë të shkelen sot e kësaj dite. /RevistaMonitor