Skandali i radhës vjen nga Drejtoria e Tatimeve, tek e cila mungon një regjistër për kërkesat e kompanive dhe rimbursimin e TVSH.
Por kjo gjë çon në dyshime për përsëritjen e skemës për grabitjen e buxhetit me anë të rimbursimit të kompanive fantazmë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se mbi 220 miliardë lekë është shuma e rimbursuar, e cila nuk figuron në një regjistër, me kërkesat dhe kompanitë përkatëse sipas ligjit.
“Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në kundërshtim me pikën 4 të nenit 125 të Rregullores nr. 19 datë 22.02.2017 “Për Funksionimin e Administratës Tatimore Qendrore” nuk disponon një regjistër të standardizuar të miratuar me të dhëna të plota mbi kërkesat për rimbursim të regjistruara në DPT”- sipas KLSH.
Kjo shkelje na kujton skemën e viteve më parë, kur u rimbursuan kompani fantazmë, duke vjedhur nga buxheti i shtetit miliona euro.
Sipas KLSH, prej DRTVSH në 2-rastet e kërkesave për informacion janë vënë në dispozicion 2-tabela me përmbajtje të ndryshme sa i përket numrit të rasteve të trajtuara por edhe gabime sa i përket të dhënave identifikuese të tatimpaguesve dhe shumave të plotësuara.
Po kështu të dhëna të tabelave të dërguara nuk rakordojnë me të dhënat e regjistrit elektronik të gjeneruar prej sistemit C@ts. Këto mospërputhje nuk i japin audituesit të jashtëm një siguri të arsyeshme lidhur me rastet dhe vlerat e trajtuara nga ana e DRTVSH-së për rimbursim.
Sipas të dhënave të disponuara më datë 31.12.2017 rezultojnë 901 kërkesa të miratuara me shumën e kërkuara 22,859,261 000 lekë prej të cilave është miratuar për rimbursim shuma 22,490,496 000 lekë ose 98.3% e shumës së kërkuar, shuma për kompensim paraqitet 1,527,675 mijë lekë ndërsa pjesa tjetër prej 20,962 mijë lekë paraqet vlerën e TVSH-së të miratuar të palikujduar nga ana e DPT-së. Sipas të dhënave të sektorit të kontabilitetit në DPT totali i shumës së TVSH-së të rimbursuar gjatë vitit 2017 paraqitet 13,773,715 000 lekë.
Një fenomen tjetër, i konstatuar nga KLSH, ka të bëjë me vonesat e rimbursimit të TVSH. Kjo praktikë bëhet qëllimisht nga administrata tatimore për të detyruar kompanitë përfituese që të japin para.
Sipas të gjithave gjasave, prokuroria do të nisë hetimet për rastin në fjalë, dhe nuk përjashtohen arrestimi i përgjegjësve për këtë abuzim të qëllimshëm.
“Nëse do ti referohemi të dhënave elektronike të DPT të gjeneruara prej sistemit informatik C@ts të përpunuara nga ana jonë do të vërejmë se të paktën: Nga auditmi konstatohet se, sipas të dhënave elektronike të DPT të gjeneruara prej sistemit informatik C@ts të përpunuara nga ana jonë vihet re se të paktën në 586 raste janë tejkaluar afatet e rimbursimit për një vlerë rimbursimi prej 11,171,334 mijë lekë që përfaqëson 65% të kërkesave ose rreth 50% të vlerës totale të rimbursimit për vitin 2017, dhe konkretisht: Në 30 raste kërkesat e depozituara kanë marrë aprovimin e parë në sistem prej inspektorit për miratimin e shumës së rimbursuar por nuk rezultojnë veprime të tjera për ngrirjen e shumës së kredisë. Konstatohen tejkalime të afateve në të gjitha këto praktika me mbi 100 dite në 300 ditë vonesë”.-vijon më tej KLSH.