Një raport i Ministrisë së Financave bën të ditur se incineratori i Tiranës dhe ai i Fierit kanë dështuar të realizojnë investimet e premtuara përgjatë viteve 2018 dhe 2019, në dy projekte që kanë ngritur shqetësim në Bruksel, për shkelje të parimeve të Bashkimit Europian për menaxhimin e mbetjeve.
Disa nga projektet më të mëdha koncesionare të qeverisë “Rama” duket se janë pas me planin e investimeve, sipas të dhënave të publikuara nga vetë qeveria.
Kompania e incineratorit të Tiranës do të duhej të kishte investuar 11.6 miliardë lekë (93 milionë euro) për periudhën 2018-2019 sipas kontratës koncesionare, por ka investuar në realitet afro 1.7 miliardë lekë ose vetëm 14% kontratës.
“…vlera faktike e investimit kapital për vitin 2018 ka qenë vetëm 20 për qind e vlerës së planifikuar në planin e biznesit. Arsyeja që ka çuar në mosrealizim të vlerës së investimit ka qenë koha e gjatë e marrjes së lejes së ndërtimit në KRT për objektet përbërëse të impiantit. Ndërsa vlera e investimit kapital për vitin 2019 ka shënuar 526,2 milionë lekë”,- shkruhet në raportin e Ministrisë së Financave, i cili ka filluar të përgatitet, si një formë transparence mbi projektet kontroverse të koncesioneve të ndërmarra nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama, të cilat kanë kontrata që do të rëndojnë mbi xhepat e shqiptarëve për tridhjetë vitet e ardhshme dhe që janë dhënë në përgjithësi përmes procedurave prokuruese të debatueshme.
Në total, për të dy vitet 2018 dhe 2019, kompania nuk ka kryer 9.9 miliardë lekë ose 80 milionë euro investime të parashikuara në kontratë. Në vitin 2018 është realizuar 20% e investimeve të planifikuara ndërsa më 2019 është realizuar 8.9% e planit.
Inceneratori i Tiranës
Incineratori i Sharrës është një projekt i kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, një kompani e regjistruar në Tiranë si kompani bijë e një kompanie me emrin “Integrated Energy BV”, e regjistruar në Holandë.
Pronarët fundorë të kësaj kompanie janë të panjohur. Kompania është e regjistruar në Tiranë me një kapital themeltar prej 100 mijë lekësh, ndërsa të dhënat e bilancit të saj për vitin 2018, tregojnë se, ajo ka pasur 1.16 miliardë lekë të ardhura dhe 29.2 milionë lekë fitime neto, me një normë kthimi nga kapitali themeltar 292 herë.
Raporti i Ministrisë së Financave shprehet në mënyrë më pak të qartë sa i përket ecurisë së projektit tjetër të incinerimit, atij të Fierit.
Buxheti i shtetit ka paguar për këtë projekt që nga viti 2017 dhe pritet të paguajë deri në vitin 2023 në total 4.5 miliardë lekë (rreth 37 milionë euro) por nuk bëhet e qartë nga raporti se sa për qind e investimeve të planifikuara janë realizuar.
“Autoriteti ka raportuar se janë realizuar 95% e punimeve civile. Problem mbetet instalimi i makinerive dhe pajisjeve elektromekanike si dhe lidhja me sistemin elektroenergjetik. Nga ana e koncesionarit është kërkuar shtyrja e afatit kohor të kontratës, proces i cili është në fazë shqyrtimi”,- thuhet në raport.
Qeveria aktuale nisi të ndërtojë incineratorë në vitin 2014 duke shkaktuar shqetësim në Bashkimin Europian për largim të vendit nga procesi i integrimit. Sipas raporteve të Progresit të BE-së, “ndërtimi i incineratorëve të reja përbën shqetësim në termat e pajtimit me acquis të BE-së për mbetjet, përfshirë parimin e hierarkisë së mbetjeve dhe objektivat për riciklim”.
Parimi i hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve sanksionon që një vend duhet fillimisht të punojë për të reduktuar prodhimin e mbetjeve, pastaj të punojë për të ricikluar sa më shumë të jetë e mundur nga mbetjet e prodhuara, më tutje të groposë mbetjet e pariciklueshme dhe në fund, pasi të jenë ezauruar këto, të shikojë mundësinë për incinerim të mbetjeve.
/Burimi:BIRN/Përshtati: GazetaReforma.com/