Ditën e sotme ka qarkulluar një video në rrjetet sociale teksa shihet së si një burrë i shpëton për pak “lajthitjes” së një personi në skaf. Sipas raportuesve ngjarja në video është në Shëngjin, ku një person bën një manovër të rrezikshme me skaf në vendin e mbushur me pushues.
Ndërkohë që ngjarja e humbjes së jetës së 7-vjeçares nga një skaf akoma është plagë tek të gjithë, reagimet kanë qënë të shumta dhe tonë të ashpra.
Por pak minuta pas publikimit ka ardhur dhe reagimi i Policisë Kufitare Shëngjin, e cila thotë se videoja është e disa viteve më parë.
Reagim i Policisë Kufitare Shëngjin
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një person, me një mjet lundrues “Jet ski”, në det, në Shëngjin, duke kryer manovra që rrezikojnë jetën e një qytetari që po notonte, ju informojmë se:
Pamjet që shfaqen në video nuk janë aktuale të këtij sezoni veror, por të disa viteve më parë. Aktualisht, në vendin që shfaqet në video, ndodhet një objekt i ndërtuar para disa viteve.
Nisur nga publikimet e fundit në portale, të cilat nuk janë pamje aktuale, por që u dërgohen me tendencë portaleve për publikim, me qëllim nxitjen e reagimit qytetar, Policia e Shtetit apelon për çdo portal dhe media vizive e të shkruar, që të mos publikojnë video ose lajme të pakonfirmuara, por të marrin informacion të saktë pranë strukturave përgjegjëse në Policinë e Shtetit.
Dy ditë më parë, polici Arjan Tase, ish-shef i Komisariatit të Himarës vrau aksidentalisht me skaf një 7-vjeçare në plazhin e Potamit. Dyshohet se skafi i Tases përdorej për trafik droge dhe e kishte në pronësi të tijën pavarësisht se me dokumente figuronte në emrin e dikujt tjetër.
Fillimisht AMP njoftoi se do të hetohej për “vrasje nga pakujdesia”, por prokuroria e Vlorës hodhi poshtë mbrojtjen e policëve ndaj kolegut të tyre duke e akuzuar për veprën penale “vrasje me dashje”.