Gjashtë vite më parë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në një emision televiziv se ka më shumë se 1 milion euro pasuri, por nuk i ka treguar asnjëherë se si i ka fituar këto para, por thjesht është mjaftuar me deklaratën se këtë pasuri, e ka krijuar para se të futej në politikë. Kryesisht, pasuria e Bashës është në prona të patundshme, si dhe në disa diamante, piktura dhe makina.
Faqja zyrtare e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKP), ka vetëm një informacion në lidhje me pasurinë e Lulzim Bashës. Në këtë informacion, që daton në prill të vitit 2011, thuhet se Basha ka deklaruar një apartament në Holandë me vlerë 510 mijë gulden holandez, që janë rreth 205 mijë euro. Po pse nuk ka të dhëna të tjera në faqen zyrtare të ILDKP për kreun e PD-së?
Ndoshta të publikuara nuk ka, por pasuritë e Bashës ndër vite, janë arritur të zbulohen dhe rritja e pasurisë e kryedemokratit, por dhe e bashkëshortes së tij, shihet qartë. Mungesa e transparencës nga ILDKP, është një shqetësim më vete.
Një tjetër shqetësim, është rritja e madhe e pasurisë të kunatit të Lulzim Bashës, Erion Isufi. Ky i fundit zotëron disa kompani në fushën e marketingut dhe bizneset e tij, po shtohen vit pas viti. Përveç bizneseve, Isufi ka pasur në zotërim edhe tabelat e reklamave në Tiranë në stacionet e autobusëve, ku kryesisht janë reklamuar shërbimet e “Vodafone”.
Për të marrë këto tabela reklamash, Isufi ka ruajtur një raport të mirë me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn. Por relatat e mira mes Isufit dhe Veliajt, u prishën në janar të këtij viti, kur Isufi e akuzoi për shpifje kryebashkiakun e Tiranës, duke e çuar çështjen edhe në SPAK.
Me anë të një postimi në rrjetin social “LinkedIN”, Isufi shkroi se kompania e tij po bëhet e para që i jep mundësinë zhvilluesve të punojnë me orare fleksibël. Kjo pasi kërkon të punësojë sa më shumë zhvillues, ose njohur në anglisht me “developer”, që t’iu japë paga të larta. Kjo gjë ka prishur ekuilibrin e tregut, ndërsa vetë Isufi sjell para nga jashtë Shqipërie si investime në kompaninë e tij. Këto para të dyshimta, përdoren për blerjen apo përdorimin e disa aplikacioneve dhe uebsajteve.
Bizneset e Erion Isufit:
- Me datë 25.10.2005 ka regjistruar kompaninë “SRF Developments”, me numër identifikimi “K52301012K”, e cila vijon të jetë aktive.
- Në vitin 2006 dhe konkretisht me datë 6.10.2006, Erion Isufi, ka regjistruar një tjetër biznes dhe konkretisht “ Reno Albania”, së bashku me një ortak tjetër. Por më vonë ai është tërhequr nga ortakëria, duke pezulluar kështu aktivitetin njëanshëm.
- Me datë 7.02.2009, po në emër të Erion Isufit, është regjistruar kompania “Premium Print”, me numër identifikimi K92407011Q, e cila vijon të funksionojë. Kjo kompani shërben për botime gazetash, revistash, reklama etj.
- Edhe kompania “Landmark Communications”, me administrator Erion Isufin, e regjistruar në QKB me datë 10.01.2012, rezulton të jetë aktive. Kompania në fjalë ofron shërbimesh reklamash etj. Një tjetër kompani e Erion Isufit, që rezulton të jetë aktive, është “Blacksheep”, e regjistruar në QKB me datë 10.05.2016. Edhe kjo kompani ofron shërbime reklamash etj.
- Me datë 12.01 2018, Erion Isufaj ka regjistruar pranë QKB–së, kompaninë “AsWeGrow”, e cila ofron shërbime marketingu.