Programi qeveritar i financuar edhe me fondet e Bashkimit Europian dhe i trumpetuar me të madhe nga qeveria “Rama” për zhvillimin e 100 fshatrave, duket se u harrua.
Pas tre vjetësh, vetëm çereku i fshatrave të përmendur në listën e qeverisë kanë përfituar projekte të vogla në infrastrukturë, ndërsa ekspertët thotë se, programi “100 fshatrat” dështoi të sillte efektet që priteshin për shkak të mungesës së koordinimit dhe copëzimit të investimeve.
Kjo ishte një prej “armëve” më të forta të qeverisë vetëm pak kohë më parë, si dhe një fushatë marketingu e gjerë dhe e mbushur me premtime e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili tani po mundohet ta fsheh këtë dështim të radhës.
Tabela me informacionin turistik në fshatin Karpen në bregdetin e Kavajës është ngulur mes një pirgu inertesh, buzë së cilës kalon rruga e bregdetit. Pas disa gropave të mbushura me ujë, në rrugë shfaqen disa shtëpi private disakatëshe.
Këto investime, siç thonë banorët, janë të vetmet në fshatin që u zgjodh në listën e programit “100 fshatrat”, i cili synon zhvillimin e rajoneve në zonat rurale.
Njëqind fshatra nga Veriu në Jug të vendit u përzgjodhën për t’u zhvilluar mbi 3 shtylla; infrastrukturë, zhvillimin ekonomik të aktiviteteve private dhe mbështetje për zhvillimin e kapitalit social dhe njerëzor.
Por Xhevat Hallulli, i cili prej vitit 2012 ka ngritur një hotel, bashkë me restorantin dhe shërbimin e plazhit, thotë se fshati vuan një sërë mungesash dhe përfshirja në listën e propaganduar nuk ka ndryshuar asgjë.
“Karpeni vuan për çdo gjë, fillon që nga infrastruktura, energjia elektrike, ujërat e zeza, ujërat e bardha, i përfshin të gjitha – pra nuk mund të flasim për asgjë në zonën e Karpenit”,- thotë sipërmarrësi Hallulli në një intervistë për “BIRN”.
Ai shton se fshati buzë detit e ka çdo gjë prej natyrës dhe Zotit, ndërsa “dora e shtetit është zero”.
Të dhënat që nxjerrin të palarat e Klosit
Ministri Klosi kishte deklaruar në fillimit e programit “100 fshatrat” se, ky projekt ambicioz do të sillte një zhvillim të shpejtë në turizmin e vendit.
Por sipas të dhënave të mbledhura nga BIRN, nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi, tre vjet pas fillimit të programit, vetëm 24 nga 100 fshatrat e përzgjedhur kanë përfituar investime në infrastrukturë , përveç tabelave informuese të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit.
Ndërkohë, as institucionet e përfshira nuk ishin të qarta në ato që raportuan si punë të kryera, apo të planifikuara si pjesë e programit “100 fshatrat”.
Ministria e Bujqësisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, FSHZH, kthyen përgjigje të ndryshme mbi buxhetin, fshatrat dhe projektet në lidhje me këtë program, edhe pse referencat ishin të njëjta.
Specialistë të fushës i thanë BIRN se mungesa e koordinimit, financimet e copëzuara dhe zgjatja në kohë e punimeve, ishin problemet kryesore të programit.
“Duke u angazhuar shumë dikastere, pa krijuar një strukturë përgjegjëse dhe pa krijuar fonde të mjaftueshme, nuk mund të bëhej dot”,- thotë Zak Topuzi, kreu i sektorit hotelier pranë Shoqatës Shqiptare të Turizmit, që sheh se projekti nuk ka sjellë ndryshimin që pritej.
Një fushatë marketingu
Programi ‘100 fshatrat’ nisi në korrik të vitit 2018 me krijimin e “Akademisë 100 fshatrat”, në përbërje të së cilës ishin 22 grupe pedagogësh dhe studentësh nga 6 universitete të vendit, që në bashkëpunim me ministritë e linjave hodhën në letër propozime konkrete për çdo fshat.
Projekti synonte përmirësimin e infrastrukturës publike, zhvillimin ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike, si zhvillim të kapitalit njerëzor. Por pas gati tre vjetësh, vetëm çereku i fshatrave kanë marrë investime nga projekti.
Pjesa më e madhe e investimeve janë përqendruar në Jug të vendit, në fshatrat bregdetare dhe kryesisht kanë të bëjnë me rijetëzimin e shesheve dhe fasadave.
Fshatrat piktoreskë në bregdetin e Jonit shfaqen shpesh në videot propaganduese të qeverisë për programin e integruar të zhvillimit rural.
Por ekspertët e ekonomisë theksojnë se, investimet në këtë zonë janë përjashtim nga rregulli dhe vlerësojnë se, projekti në tërësinë e tij ka dështuar të japë efektet e pritura, për shkak se investimet kanë qenë të pakta dhe jo të harmonizuara.
Mungesë koordinimi dhe rrëmujë të dhënash
Institucionet e përfshira në program raportojnë të dhëna të ndryshme mbi projektet e zbatuara në lidhje me “100 fshatrat”, duke e bërë të vështirë të kuptohet se sa prej investimeve ishin pjesë e programit dhe sa ishin investime infrastrukture që ishin planifikuar prej vitesh dhe që preknin një apo disa nga fshatrat e përmendur në program.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i dërgoi BIRN, një listë me projekte në infrastrukturë, të përfunduara dhe në zbatim, që preknin 19 nga 100 fshatrat.
Lista sipas ministrisë ishte marrë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe përfshinte 10 miliardë lekë investime nga institucione financiare ndërkombëtare dhe 857 milionë lekë nga buxheti i shtetit.
Por Fondi Shqiptar i Zhvillimit i dërgoi BIRN një tjetër listë. Në këtë të fundit investimet në total arrinin 8.5 miliardë lekë. Ndërkohë, në të dy listat, edhe pse nga i njëjti burim, ndryshonin edhe projektet që përmendeshin si pjesë e programit, edhe fshatrat që ishin prekur nga këto investime.
Ministria e Bujqësisë raportoi se investimet e FSHZH kishin prekur 19 fshatra, por vetë Fondi raportoi se investimet e kryera dhe në zbatim preknin vetëm 18 fshatra. Po ashtu, të dyja palët dhanë lista të ndryshme të fshatrave ku ishin bërë investimet.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural raportoi investime në Lepushë, Tragjas, Rrajcë, Plloç/Amantia, Zogaj, Roskovec, që nuk përmendeshin në listën e dërguar nga FSHZH. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndryshe nga Ministria Zhvillimit Rural, raportoi investime në Luar, Nivicë, Boboshticë, Fishtë dhe Kaninë.
Ministria e Bujqësisë tha po ashtu se ishin investuar 75 milionë lekë për agroturizëm, 5.6 milionë në rikonstruksion ambientesh për turizmin rural, 18 milionë lekë në kultivimin dhe tregtinë me pakicë të produkteve lokale dhe 200 mijë lekë në panele diellore për stanet. Në informacion nuk përmendeshin projekte konkrete dhe as fshatrat përfitues.
Ndërkohë, Ministria e Kulturës raportoi si pjesë të programit, investimet e Komunitetit Musliman Shqiptar dhe Kishës Ortodokse për rikonstruksionin e tre objekteve të kultit. Po ashtu, ajo raportoi disa ndërhyrje që ishin financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, por nuk ishin në listën e këtij të fundit, si investime të programit “100 fshatrat”.
Roli i Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit duket se ka qenë minimal. Ajo bëri me dije se kishte investuar në vendosjen e 144 tabelave me informacion turistik për 100 fshatrat.
Megjithatë, edhe ky informacion nuk ishte i qartë, ndërsa ministria ka përfshirë edhe tabelat e vendosura në vende si Plazhi i Currilave, që gjendet në zemër të qytetit të Durrësit.
/Burimi: BIRN/ Përshtati: GazetaReforma.com/