Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka treguar se një serb i cili do të merrte pjesë në zgjedhjet për kryetar komune në veri është tërhequr nga gara pasi është blerë nga Beogradi. Përmes një postimi në rrjetet sociale Kurti shprehet se bëhet fjalë për Aleksandër Jabllanoviç.
Kurti thekson se në veri duhet të mbahen zgjedhje nën sundimin e ligjit dhe një mjedis ku nuk ka frikësim dhe kriminelë.
Kreu i qeverisë së Kosovës shtoi se ka dëgjuar që Aleksandër Jabllanoviç, një nga personat që do të kandidonte për postin e kryetarit të një nga katër komunave në veri të vendit, është tërhequr nga gara duke përfituar nga ky akt një milion euro dhe dy banesa në Beograd.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
E di që situata nuk është aspak e lehtë dhe të gjithë jemi të shqetësuar nga ngjarje të mundshme të paparashikueshme në të ardhmen e afërt. Po ashtu e di se, gjatë tre javëve të fundit, kemi mbërritur edhe te lajmet ndërkombëtare, duke u paraqitur në një dritë jo dhe aq të mirë.
Por le të fillojmë me radhë. Më vjen keq që na është dashur të mbajmë zgjedhje në katër komuna në veri me një pjesëmarrje aq të ulët. Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, ne e shtymë ditën e zgjedhjeve për katër muaj, duke shpresuar se Lista Serbe do të merr pjesë. Bashkësia ndërkombëtare na premtoi se nëse ne pranojmë Aneksin e Ohrit, ata do të sigurojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje. Më 17 mars të këtij viti e kemi zgjatur edhe për pesë ditë afatin e regjistrimit të partive. E gjithë kjo për asgjë. Kam menduar se të paktën Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai doli nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka fituar një milion euro dhe dy banesa në Beograd. Ndoshta nuk është e saktë, por gjithsesi duhet të jetë presion tepër i madh apo ofertë tepër luksoze, që e ka shtyrë Jabllanoviqin të thotë se ai nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë.
Përfaqësuesit e Listës Serbe, sikur edhe Jabllanoviqi, kanë thënë gjithfarë gjërash për Kosovën dhe për mua, por unë kam mbetur i gatshëm t’i pranoj si kryetarë të ardhshëm komunash. Fatkeqësisht, nuk kam as fuqi e as vullnet që t’i detyroj të kandidojnë në zgjedhje. Tani, kryetar i komunës është Lulzim Hetemi, derisa të zgjidhet një i ri. Për këtë na duhen zgjedhje të parakohshme dhe një fushatë parazgjedhore e hapur, e lirë, në 4 komunat në veri. Pa një fushatë të ndershme dhe demokratike, nuk ka zgjedhje të ndershme dhe demokratike. Prandaj në radhë të parë nevojitet sundimi i ligjit, pra një mjedis ku nuk ka frikësim dhe kriminelë. Këtë duam dhe duhemi ta vendosim së bashku. Me sundimin e ligjit, gradualisht mund ta zvogëlojmë numrin e policëve në ndërtesat komunale.
Në anën tjetër, na janë të nevojshme takimet në Bruksel për zbatimin urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë nga Brukseli, pjesë përbërëse e së cilës është Aneksi i Ohrit. Tani e kam të qartë se presidenti i Serbisë i ka thënë PO marrëveshjes për të mos e nënshkruar, e tani ankohet dhe pendohet që ka thënë PO, që e ka pranuar atë marrëveshje, që do të thotë njohje de facto të Republikës së Kosovës.
Siç duket, pushteti në Beograd është në kërkim të makinës së kohës. Ndonjëherë duan të kthehen në kohën para qershorit 1999 kur ne u çliruam, ndonjëherë para shkurtit 2008 kur shpallëm pavarësinë, ndonjëherë para shkurtit të këtij viti kur presidenti i Serbisë Vuçiq pranoi Marrëveshjen e Brukselit dhe, siç e keni dëgjuar edhe ju vetë, ndonjëherë duan të kthehen në makinën e kohës para dhjetorit 2001 kur unë kam dalë nga burgjet serbe.
Sulmi dhe kidnapimi i policëve, gjuajtja ndaj ushtarëve të KFOR-it, sulmet e dhunshme ndaj gazetarëve nuk do të tolerohen. Një shoqëri demokratike dhe liberale nuk duron dot kulturën e të të dhunshmëve. Aleksandar Vuçiq sot përfaqëson gatishmërinë e Serbisë për të humbur edhe një luftë. Në të njëjtën kohë, ai është garancia juaj që vitet ’90 nuk do të bëhen të kaluara. Unë nuk jam për luftë. Unë jam kundër luftës. Unë jam socialdemokrat. Kam vuajtur gjatë luftës, kam qenë i burgosur lufte për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ai duket se ka vetëm kujtime të mira nga lufta dhe ndjenja të tilla, sepse edhe atëherë ishte në pushtet si ministër i Millosheviqit, dhe ndryshe nga sot, ai kishte pushtet madje pa detyrime, sepse të gjithë përgjegjësinë e mbante Millosheviqi.
Për më shumë se 10 vjet, këta të ashtuquajtur progresistë e kanë kriminalizuar politikën në Serbi, e tani në veri të Kosovës po tentojnë të politizojnë kriminelët. Nga ana tjetër, ne kemi mbyllur 16 rrugë ilegale në veri, kemi shkatërruar 83 grupe kriminale, kemi konfiskuar rreth 2 tonë narkotikë, kemi shkatërruar 14 laboratorë droge, 8 prej tyre në veri dhe 5 sosh për prodhimin e kriptovalutave.