Ka mbetur vetëm një javë deri në zgjedhjet për Kongresin në Shtetet e Bashkuara. Ato do të përcaktojnë nëse demokratët ruajnë shumicën ose nëse republikanët marrin drejtimin në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Arash Arabasadi, disa çështje të brendshme — përfshirë të drejtën për abort — janë në mendjen e shumë votuesve.
Votimi i hershëm është duke u zhvilluar në shumicën e Shteteve të Bashkuara përpara zgjedhjeve të tetë nëntorit. Javën e kaluar, presidenti Joe Biden dhe mbesa e tij Natalie votuan në shtetin Delaware.
Shumica e shteteve konsiderohen të sigurta për kandidatët në pushtet, duke lënë vetëm një pjesë të vogël shtetesh, për të përcaktuar balancën e pushtetit në Uashington. Xhorxhia është në mesin e atyre shteteve…ku Senatori demokrat Raphael Warnock është në një garë të ngushtë me ish-yllin e futbollit Herschel Walker. Ashtu si në shumë gara këtë vit, e drejta për abort, mbetet shqetësim i madh.
“Ju e dini, unë jam i krishterë. Besoj në jetë. Dhe u them njerëzve këtë: Xhorxhia është një shtet që respekton jetën dhe unë do të jem një senator që mbron jetën”, thotë kandidati republikan Herschel Walker.
Dy gra kanë akuzuar kandidatin Walker se ka paguar për to për të kryer procedurën. Senatori Warnock thotë se qeveria nuk ka nevojë të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes.
“Dhoma e pacientit është shumë e vogël për një grua, mjekun e saj dhe qeverinë amerikane. Ne jemi dëshmitarë të asaj që ndodh kur politikanët – shumica e tyre burra – marrin vendime për pacientët”, thotë senatori Warnock.
Demokratët kanë frikë se po e humbasin Xhorxhian, pasi një mikrofon i hapur kapi së fundmi udhëheqësin e shumicës në Senat, Chuck Schumer, duke i thënë Presidentit Biden se partia e tyre rrezikon të humbasë në këtë shtet. Udhëheqësit republikanë thonë se kanë gjasa të mira për të fituar.
“Mendoj se demokratët do të kuptojnë më tetë nëntor se inflacioni i lartë, krimi i lartë dhe kufijtë e hapur nuk janë ato që dëshiron publiku amerikan. Shpresoj se republikanët do të miratojnë një legjislacion të mirë dhe Joe Biden do ta nënshkruajë atë”, thotë senatori republikan Rick Scott.
Demokratët thonë se e drejta për abort, të cilën Partia Republikane e kundërshton gjerësisht në një sërë rrethanash, do t’i shtyjë votuesit në qendrat e votimit dhe do të ndihmojë në mbajtjen e partisë së tyre në pushtet.
“Aborti është një çështje vërtetë e madhe dhe ka të bëjë me liritë tona themelore – kush e merr vendimin? Një grua dhe mjeku i saj, apo politikanë në Uashington?” thotë kandidatja demokrate për në Senat, Cheri Beasley.
Historikisht, partia e një presidenti në detyrë humbet dhjetëra vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një pjesë të vogël në Senat… mjaftueshëm për të ndryshuar balancën e pushtetit në Uashington nëse kjo prirje vazhdon./VOA