Bankat dhe ekspertët kudo në botë u tërhoqën nga parashikimet e fundvitit 2021 se çmimet do të stabilizoheshin në këtë 6-mujor. Tani në sfond janë rreziqe të reja për inflacionin. Për Shqipërinë, reduktimi i prodhimeve në serra, rritja e pritshme e çmimeve të energjisë dhe një konflikt i mundshëm Rusi-Ukrainë do t’i mbajë çmimet në nivele të larta. Në janar 2022, çmimet e shportës për 28 artikujt bazë të konsumit shënuan rritje vjetore me 20%. Rritet ndikimi i prodhimit bujqësor vendas në inflacion. Banka e Shqipërisë shtyn pritshmëritë për stabilizim të çmimeve në vitin 2023 dhe tregohet e rezervuar për rritjen e normës së interesit. 30% e popullsisë në vend rrezikon të shkojë në varfëri ekstreme.
Blerina Hoxha
Skënderi dhe Rovena, një çift me arsim të lartë, të punësuar në sektorin publik (me paga mesatare 50-60 mijë lekë në muaj secili) këtë fillimvit po shkurtojnë disa shpenzime për shkollimin e fëmijëve, në mënyrë që të përmbushin nevojat bazë të jetesës.
Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe naftës, sidomos në janar, po merr të paktën 30% më shumë shpenzime se në janarin e kaluar. Së fundmi, ata morën vendim për të hequr nga kursi i gjuhës së huaj fëmijët dhe prishën kontratën e transportit për në shkollë.
“Këto kohë, pjesa më e madhe e pagave po shkon për ushqime. Nuk mund të bëjmë udhëtime fundjavave dhe as nuk mund të rezervojmë për pushimet e verës. Nuk po mbyllim dot muajin me këto çmime”, thotë Skënderi, një oficer në karrierë. Ai përfaqëson nivelin mesatar të një familje në Tiranë, që bashkë me gruan sigurojnë të ardhura mujore 11,000 lekë.
Njësoj si Skënderi dhe Rovena, familjet shqiptare po ndeshen me vështirësi për të përballuar faturat e larta nga rritja e çmimeve. Familjet me të ardhura të ulëta dhe me një familjar të punësuar dhe qira për të paguar rrezikojnë të bien në varfëri ekstreme.
Një shportë me 28 artikujt bazë të konsumit e përpiluar nga INSTAT, ku përfshihet edhe nafta, kushtoi këtë janar 20% më shtrenjtë se vitin e kaluar në këtë periudhë. Rritja e çmimeve po bëhet e qëndrueshme dhe pritet të jetë edhe më agresive në vijim, ndryshe nga parashikimet e vjeshtës së bankierëve në fund të vitit të shkuar.
Deri më tani, në tregun ushqimor të shitjeve me pakicë në Shqipëri është vënë re një rritje e çmimeve në masën 12-17%, – tha Elona Hameta, Drejtoreshë e Spar Albania, por: “Ne kemi arritur që ta mbajmë nën kontroll shtrenjtimin e çmimeve në vlerat 5-7%, duke përdorur forcën negociuese që ka rrjeti”.
I gjithë globi është përfshirë nga vala e çmimeve të larta, të cilat ishin harruar në shumë dekada. Në vendin tonë, rritja e përgjithshme e çmimeve në janar ishte 3.7% për të gjithë artikujt e konsumit – raportoi INSTAT, niveli më i lartë që nga 2011-a.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tronditën, pasi rritja e inflacionit në janar ishte 7,5%, një nivel i paparë që nga vitet 1980, ndërsa në Eurozonë, çmimet u rritën me 5.1%, niveli më i lartë ku treguesi nisi të matej për të gjithë BE-në më 1997.
Rritja e çmimeve, këtë herë, është komplekse, me origjinë si nga oferta dhe kërkesa. Pandemia e koronavirusit dëmtoi zinxhirët e furnizimit, rriti kostot e transportit dhe nga ana tjetër, u shfaq një kërkesë jo e zakontë për mallra të qëndrueshëm dhe ushqime, pasi popullata në të gjithë botën orientoi shpenzimet e udhëtimeve të munguara në konsum mallrash.
Monitoruesit e inflacionit kudo në botë po përgatiten për një normalitet të ri të çmimeve. Banka e Shqipërisë, në një shpjegim të posaçëm për “Monitor”, shpjegoi se, “për vitin 2022, ne presim që inflacioni të jetë mbi objektivin 3%, në pasqyrim të niveleve të larta të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Me normalizimin e tyre, ne presim reduktimin e inflacionit drejt objektivit, i cili parashikohet të arrihet brenda vitit 2023”. Më herët gjatë vjeshtës, BSH pati parashikuar se inflacioni do të kthehej në normalitet në 6-mujorin e dytë të këtij viti.
Në të gjithë botën, bankat po rishikojnë me rritje pritshmëritë për çmimet. Në fund të janarit, FMN deklaroi se nivelet e larta të çmimeve do të vazhdojnë. Tani FMN pret që inflacioni të jetë mesatarisht 3.9% në ekonomitë e zhvilluara dhe 5.9% në ekonomitë në zhvillim në vitin 2022, duke projektuar ulje vetëm vitin tjetër.
Por tregjet shqiptare, gjatë këtij viti, pritet të përballen me tre faktorë shtesë që do të çojnë në shtrenjtim të mëtejshëmm të çmimeve; E para, rritja e çmimeve të energjisë për biznesin; e dyta, reduktimi i prodhimit bujqësor, sidomos në serra nga kostot e larta dhe e treta, problemet e furnizimit me grurë që do të vinin nga një luftë e mundshme Rusi-Ukrainë.