Shqipëria nuk duket se i ka punët mirë me krimin dhe sidomos me pastrimin e parave dhe kjo përforcohet akoma më shumë nga raporti i Moneyval për vendin tonë.
Sipas këtij raporti flitet për masat që duhet të ndërmerren ndaj parandalimit të pastrimit të parave dhe këtu ajo i tërhiqte vëmnedjen në një sërë aspektesh qeverisë shqiptare. Sipas Gazetës Monitor në vlerësimin në kuadër të Raundit të 5-të të bërë në korrik të këtij viti dhe publikuar së fundmi, duket se kishte më shumë nota kritike duke kërkuar reagim.
Në një artikull të plotë Gazeta Monitor shpjegon gjithçka është e nevojshme të dimë deri më tani.
Pas asaj çfarë u përmend më lartë nuk kishte se si të mungonte dhe përgjigjia nga qeveria e cila e ka tashmë gati një projektligj.
Bëhet fjalë për ndryshimet në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit” i nxjerrë për konsultim ku nënvizohen tre qëllime.
“Zvogëlimi i rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nëpërmjet politikave, koordinimit dhe bashkëpunimit; parandalimi i hyrjes së produkteve të veprave penale apo veprimtarisë kriminale, si dhe të fondeve në mbështetje të terrorizmit në sektorin financiar apo në sektorë tjerë ose zbulimi dhe raportimi i tyre; zbulimi dhe goditja e kërcënimeve për pastrim të parave/ financim terrorizmi, si dhe dënimi e zhveshja e autorëve nga përfitimet e paligjshme” janë tre aspekte që nënvizon relacioni shoqërues i projektligjit.
Por cilat janë në fakt ndryshimet e bëra?
Së pari bëhet një sqarim i një sërë termave lidhur me shërbimet korrespondente nga bankat dhe institucionet e tjera financiare.
Së dyti, tek personat e ekspozuar politikisht vëzhgimi do të shtrihet edhe për një periudhë 10-vjeçare pas lënies së detyrës. Me ligjin aktual “Personat e ekspozuar politikisht” janë personat, të cilët janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurive të tyre, në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm apo të ulët drejtues, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shërbimin civil.
Në këtë kategori përfshihen edhe individët, të cilët kanë pasur ose kanë funksione të rëndësishme në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, si: kryetar shteti dhe/ose qeverie, politikanë të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, të gjykatave ose të ushtrisë, drejtues të lartë të kompanive shtetërore, zyrtarë të rëndësishëm të partive politike”. Shtesa në projektligj është “kjo kategori klientësh konsiderohen “persona të ekspozuar politikisht” deri në 10 vite pas largimit nga funksioni. Sipas gjykimit të vetë subjektit, ky afat mund të shtrihet edhe përtej 10 vjetësh”.
Në ligj përfshihen gjithashtu për herë të parë mjetet virtuale të tregtuara në formë dixhitale sic mund të jetë bitcoin por jo vetëm. “Mjet virtual është një pasqyrim digjital i një vlere që mund të tregtohet apo të transferohet në formë digjitale, si dhe që mund të përdoret për qëllime pagesash ose investimesh. Në këtë përkufizim nuk përfshihen pasqyrimet digjitale të monedhave të njohura zyrtarisht, letrave me vlerë dhe mjeteve të tjera financiare që janë parashikuar nga legjislacioni në fuqi.
Ofrues i shërbimeve të mjeteve virtuale” nënkupton çdo person fizik ose juridik i cili kryen një ose më shumë nga aktivitetet e mëposhtme për ose në emër të një personi tjetër fizik ose juridik: i. shkëmbimi midis mjeteve virtuale dhe monedhave të njohura zyrtarisht; ii. shkëmbimi midis mjeteve virtuale dhe pasurie të çdo lloji; iii. shkëmbimi midis një ose më shumë formave të mjeteve virtuale; iv. transferimi i mjeteve virtuale; v. ruajtjen dhe / ose administrimin e mjeteve virtuale ose instrumenteve që mundësojnë kontroll mbi mjetet virtuale; vi. pjesëmarrja në dhe sigurimi i shërbimeve financiare lidhur me ofertën e një emetuesi dhe/ose shitjen e një mjeti virtual. Në kuptim të kësaj pike, transferimi nënkupton kryerjen e transaksionit për llogari të një personit tjetër, fizik apo juridik, që lëviz mjetin virtual nga adresa e mjetit virtual ose llogaria e një personi tjetër” thuhet në ligj.
Në ligj shtohet edhe një nen 17/1 i cili lidhet me deklarimet në kufi. Në këtë nen përcaktohen kufijtë për deklarimin e shumave dhe gjobat në rast mosdeklarimi në kufi.
“Çdo person i cili hyn/largohet në/nga territori i Republikës së Shqipërisë është i detyruar të deklarojë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 10 000 (dhjetë mijë) Euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, qëllimin e mbartjes së tyre si dhe dokumente justifikuese përkatëse. Kanë detyrim për deklarim edhe përfaqësuesit e personave që hynë/largohen me mjete sipas pikës 1, kur këto transportohen nëpërmjet shërbimit të kontejnerëve apo postar.
Autoritetet doganore dërgojnë tek autoriteti përgjegjës kopje të formularëve të deklarimeve të mësipërme dhe të dokumenteve justifikuese të paraqitura.
Në rast mosdeklarimi apo deklarimi të rremë, të konstatuar nga autoritetet doganore apo policore, përveç trajtimit të rastit në funksion te ndjekjes penale të çështjes dhe marrjes së masave përkatëse në funksion të saj, organet doganore vendosin gjobë pa të drejtë kthimi të mjeteve të padeklaruara sipas pikës 1 të këtij neni, në përqindje ndaj vlerës së padeklaruar si më poshtë:
a) Për shumat nga 10,000-19.999 Euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 5% për herën e parë, 10% për herën e dytë si dhe 30% për rastet e tjera;
b) Për shumat nga 20,000-49.999 Euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 10% për herën e parë, 20% për herën e dytë si dhe 40% për rastet e tjera;
c) Për shumat mbi 50.000 Euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 15% për herën e parë, 30% për herën e dytë si dhe 50% për rastet e tjera” thuhet në projektligj.