Paralajmërimi i Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri për rrezikun e mundshëm të sulmeve nga Irani ka rikthyer në fokus një realitet të fortë: Shqipëria rezulton një nga vendet më të ekspozuara në Ballkan për shkak të përplasjes direkte me Teheranin.
Në një studio televizive, gazetari Bledian Koka deklaroi se kjo situatë nuk është rastësi, por pasojë e drejtpërdrejtë e vendimeve politike të marra ndër vite nga drejtuesit kryesorë të vendit. Sipas tij, linja e përplasjes me Iranin është ndërtuar nga të dyja krahët politikë, si nga Sali Berisha ashtu edhe nga Edi Rama.
Koka theksoi se gjithçka nis me vendimin për të strehuar muxhahedinët në Shqipëri, një hap që, sipas tij, e vendosi vendin në një kurs të drejtpërdrejtë përplasjeje me Iranin. Fillimisht, gjatë qeverisjes së Berishës u strehuan rreth 300 persona, ndërsa më pas, gjatë qeverisjes së Ramës, numri i tyre u rrit ndjeshëm, duke arritur sipas tij nga 3.000 deri në 6.000, të vendosur kryesisht në Manzë.
“Mendoj që një nga vendet me raportet më të tensionuara me Iranin në Ballkan dhe po doni dhe në Europë është Shqipëria. E para punës nis çështje që nga vendimi që kanë marrë dy krahët politikë si zoti Berisha dje në qeveri dhe zoti Rama sot, për të strehuar së pari zoti Berisha 300 muxhahedinë dhe më pas zoti Rama nga 3.000 deri në 6.000 numri është pak i paqartë për prezencën e tyre në Manëz,” u shpreh ai.
Gazetari evidentoi se përplasja u bë e hapur në vitin 2018, kur Shqipëria dëboi dy diplomatë iranianë me akuza për përfshirje në aktivitete terroriste, ndërsa u përfol edhe për një plan të mundshëm për atentat ndaj Baba Mondit. Sipas tij, ky ishte momenti kur raportet kaluan nga tensione në konflikt të drejtpërdrejtë.
Situata, sipas Kokës, u përshkallëzua më tej në vitin 2021 me ndërprerjen totale të marrëdhënieve diplomatike, për të kaluar më pas në një fazë tjetër përballjeje përmes sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, ku janë përmendur edhe depërtime në sisteme të rëndësishme si ato të drejtësisë.
Por ajo që e bën më shqetësuese situatën, sipas tij, është fakti që paralajmërimi i fundit nuk flet për një kërcënim kibernetik, duke ngritur pikëpyetje për një nivel tjetër rreziku që mund të përfshijë territorin shqiptar.
Në këtë kontekst, Shqipëria duket se nuk është thjesht një vend periferik në këtë përplasje, por një pikë e drejtpërdrejtë e interesave dhe tensioneve me Iranin.








