Vapa përvëluese vijon të jetë një shqetësim serioz për qytetarët, ndërsa sipas parashikimeve të meteorologëve, pritet që të mërkurën të ketë një rënie të temperaturave dhe një qetësim të kushteve atmosferike.
Në një intervistë për emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, mjeku Ilir Allkja dha disa këshilla të rëndësishme për mënyrën se si qytetarët mund të mbrohen dhe të përballojnë nxehtësinë ekstreme.
“Janë një grup i gjerë masash që lidhen me mbrojtjen nga faktorët atmosferikë, siç është vapa. Nga temperaturat e larta rrezikohen të gjitha grupmoshat, që nga foshnjat, fëmijët, të moshuarit, të rriturit, por në mënyrë të veçantë moshat e treta që vuajnë nga sëmundje kronike. Për çdo grupmoshë duhen modifikuar disa sjellje për të shmangur pasojat e të nxehtit rraskapitës.
Të punësuarit të përpiqen të dalin më herët nga shtëpia për të shmangur temperaturat e larta. Nëse është e mundur, të mbarojnë punën më herët. Duhet të shmangim daljet gjatë orëve të pikut, nga ora 11:00 deri në orën 16:00-17:00. Kam vënë re që edhe në orën 14:00-15:00 rrugët janë plot, çka është shqetësuese.
Është shumë e rëndësishme të mbajmë ambientet të freskëta, t’i ajrosim herë pas here dhe të konsumojmë sa më shumë lëngje, që nga uji, tek lëngjet që i përgatisim vetë me fruta të ziera, të cilat më pas i ftohim dhe i konsumojmë. U bëj thirrje njerëzve të shmangin pijet industriale, që përmbajnë ëmbëlsues, aroma sintetike dhe konservantë të dëmshëm për shëndetin.
Të përdorim sa më shumë ushqime dhe pije natyrale. Po ashtu, të kemi kujdes edhe me enët që përdorim për gatim në shtëpi”, tha mjeku Ilir Allkja.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për kujdes me përdorimin e kondicionerëve, të cilët, ndonëse janë të domosdoshëm, nuk duhet të krijojnë kontraste të forta temperaturash mes ambientit të jashtëm dhe atij të brendshëm.
“Fëmijët shpesh ftohen nga kondicioneri sepse, pas plazhit apo shëtitjeve në të nxehtë, futen menjëherë në ambiente shumë të ftohta. Kur jashtë janë 38 gradë dhe fëmija është djersitur, e futin në një dhomë me 16-20 gradë. Ky ndryshim i menjëhershëm krijon një disbalancë që organizmi i fëmijës nuk e përballon dot. Si pasojë, shfaqen infeksione në rrugët e sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes, dëmtohet imuniteti dhe fëmija bëhet më i brishtë ndaj sëmundjeve”, tha ai.