Pas degradimit të flotës së helikopterëve “Cougar”, pavarësisht kontratave të shtrenjta të mirëmbajtjes, Ministria e Mbrojtjes ka vënë në zbatim marrëveshjen me Agjencinë e Prokurimeve të NATO-s.
Më 31 gusht, një helikopter “Cougar” i Forcës Ajrore u ul në aeroportin e Rinasit pas një fluturimi nga Zvicra, ku iu nënshtrua punimeve të thella të mirëmbajtjes. Sipas një postimi në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes, punimet e mirëmbajtjes u kryen falë bashkëpunimit me Agjencinë e Prokurimeve të NATO, NSPA.
“…Jemi në rrugën e duhur për të rikthyer progresivisht gatishmërinë teknike të të gjithë Flotës sonë Ajrore,” shkruhej në statusin e Ministrisë së Mbrojtjes. Pas degradimit të flotës së helikopterëve Cougar për vite me radhë, pavarësisht miliona eurove të shpenzuara në kontrata mirëmbajtjejeje dhe sigurimi, Ministria e Mbrojtjes nënshkroi një marrëveshje me Agjencinë e Prokurimeve të NATO-s në vitin 2021 për mirëmbajtjen e tyre.
Ndihma sigurohet përmes Partnershipit për Mbështjejen e Helikopterëve, një mekanizëm që ofron mbështetje logjistike për 11 vendet anëtare, mes së cilave është edhe Shqipëria.
Marrëveshja e siguruar nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregon megjithatë se ky mekanizëm mund të mos jetë në gjendje të ofrojë mbështetje për të gjitha rastet, duke i orientuar vendet që të ndjekin edhe procedurat e tyre të brendshme.
Forca Ajrore zotëron katër helikopterë Cougar, të blerë përmes një kontrate të vitit 2010 të qeverisë “Berisha” me kompaninë Eurocopter për 78.6 milionë euro. Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se të paktën nga viti 2018, Ministria e Mbrojtjes dështoi që të garantonte mirëmbajtjen periodike të tyre, duke cenuar sigurinë e pilotëve dhe efikasitetin e Forcave Ajrore.
Ministria e Mbrojtjes nuk dha të dhëna për gjendjen teknike të tre helikopterëve të tjerë “Cougar”, duke sugjeruar që t’i referohemi faqes së tyre zyrtare.
Përveç helikopterëve “Cougar”, Forca Ajrore u pasurua edhe me dy helikopterë Black Hawk të sjellë nga Shtetet e Bashkuara në janar të vitit 2024.
Ministria e Mbrojtjes i tha BIRN se mirëmbajtja e helikopterëve Black Hawk do të kryhet nga pala amerikane në bashkëpunim me specialistët e Bazës Ajrore të Farkës deri në dhjetor të vitit 2025. Pas kësaj periudhe, referuar dhe vijimit të trajnimit të personelit shqiptar, kjo mirëmbajtje do të kryhet nga specialistët e Forcës Ajrore./ BIRN