Sa i brishtë është ende Ballkani Perëndimor si rajon, akoma me prirje destabilizimi për shkak të plagëve ende të hapura nga e kaluara, të cilat tani politikisht korrekt quhen “çështje të hapura bilaterale”, e dëshmuan informatat për një tekst, i cili për shkak të karakterit jozyrtar, nuk mund të quhet as dokument, madje as paper. I ashtuquajturi “non- paper”, pa kokë dhe pa firma poshtë, iu atribua nga mediat kryeministrit slloven Janez Jansa.
Teksti propozon “përfundimin e shpërbërjes së Jugosllavisë” apo spostimin “përfundimtar” të kufijve në Ballkanin Perëndimor, me qëllim të krijimit të një Bosnje Hercegovine të fragmentuar por “të qëndrueshme dhe funksionale”, një Shqipërie të bashkuar me Kosovën dhe pjesë të Maqedonisë së Veriut dhe një Serbie të bashkuar me Republikën Srpska.
Institucionet e BE-së nuk e kanë konfirmuar ende mbërritjen e një teksti të tillë në Bruksel, dhe ndoshta kurrë nuk do ta konfirmojnë. Brukseli zyrtar përsëriti vetëm qëndrimin e tij se “asgjë nuk duhet të ndryshojë, kur është fjala për kufijtë e Ballkanit Perëndimor”.
Që “vizatimi i kufijve të rinj është një rrugë e rrezikshme” dhe “pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal është çelësi i paqes, demokracisë dhe prosperitetit” në Ballkanin Perëndimor, u theksua edhe nga Sekretari gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth. Të njëjtat mesazhe erdhën edhe nga Parlamenti Evropian, ku raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, porositi se „ndryshimi i kufijve dhe territoreve është një rrugë e rrezikshme drejt së kaluarës shpërthyese” të rajonit.
Kompromise të rrezikshme
Sidoqoftë Alexandra Stiglmayer nga Nisma Evropiane e Stabilitetit dhe Bodo Weber nga Këshilli i Politikës së Demokratizimit në Berlin pohojnë për DW se shfaqja e këtij teksti nuk është e rastësishme, se ai ka parahistorinë e vet dhe se ka njerëz, që e shohin zgjidhjen e të gjitha problemeve në Ballkanin Perëndimor në ndryshimin e kufijve. Në bisedë me DW ata kujtojnë se shkëmbimi i territoreve jo shumë kohë më parë ishte temë në rajon dhe në BE, kur në 2018 flitej për shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës.
„Gjëra të tilla vazhdojnë të dalin. Ato kanë qenë prezente edhe gjatë luftës në ish-Jugosllavi. Por duhet pasur parasysh edhe arsyeja që çoi në këto luftëra. Prandaj është shumë e rrezikshme të besohet se ndryshimi i kufijve, që do të çonte në këmbime etnike, do të sillte zgjidhje në Ballkanin Perëndimor”, thotë Stiglmayer.
Ajo beson se shfaqja e një ideje të tillë në këtë moment është një lloj baloni prove për të parë reagimin e vendeve anëtare të BE-së dhe për të testuar, nëse mund të ecet në këtë rrugë. “Për mendimin tim kjo nuk është kurrësesi rruga, sepse do të çonte vetëm drejt konfliktit, dhe pastaj në një konflikt të armatosur në të gjitha vendet e prekura të Ballkanit Perëndimor”, thekson analistja nga Brukseli.
Bodo Weber thotë se në katër vitet e mëparshme i gjithë rajoni u kërcënua nga destabilizimi për shkak të idesë së shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës dhe se tani është bërë një “hapje e re”, që e zhvendos kërcënimin në territorin e Bosnjë Hercegovinës.
“Në katër vitet e fundit është vërejtur dinamika e një ‘devijimi të rrezikshëm’ të disa përfaqësuesve të BE dhe SHBA, që negociojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilët së pari, duke u përqëndruar në negociatat midis Serbisë dhe Kosovës, kërcënuan stabilitetin e të gjithë rajonit me idenë e çmendur të shkëmbimit të territoreve. Kështu jashtë vëmendjes, në Bosnjë Hercegovinë arritën të bien dakord për një “marrëveshje të ndyrë”, për ndarjen etnike në nivel lokal, të ashtuquajturën marrëveshja e Mostarit. E gjitha kjo tregon, se negociatorët tanë perëndimorë në situata krize janë të prirur, të bëjnë çfarëdo marrëveshjeje, që nënkupton edhe kompromis të keq me axhenda të rrezikshme rajonale, që do t’u shkonin për shtat liderëve nacionalë në Ballkanin Perëndimor”, përfundon Weber.
Dokument radikal
Nga Nisma Evropiane e Stabilitetit të Aleksandra Stiglmayer kujtojnë faktin se në procesin e zgjidhjes së “çështjes së Kosovës” disa nga udhëheqësit e BE-së kanë mbështetur opsionin e “çdo zgjidhjeje, për të cilën bien dakord të dyja palët”. Ata shtojnë se “non-paperi” slloven vepron “shumë më radikalisht” pa konsultime paraprake me vendet e prekura.
“Nuk mendoj se Bosnjë Hercegovina, Maqedonia e Veriut apo Kosova do të bien dakord për këtë. Ndoshta Shqipëria, por kjo do të nënkuptojë largimin nga rruga e BE”, thotë Stiglmayer.
Në të njëjtën kohë kryeministri shqiptar, Edi Rama, ishte i vetmi që konfirmoi se e kishte parë dokumentin dhe se kishte biseduar për “idenë” me kryeministrin slloven.
Analistët nga Brukseli dhe Berlini pajtohen, se një “ide” e tillë nuk ka mbështetjen e shumicës.
“Nëse ekziston një dokument i tillë, në formën si është publikuar në media, kjo do të tregonte se zoti Jansa në radikalizmin e tij vepron në fakt në mënyrë kundërproduktive për promovimin e idesë së tij. Unë besoj se kjo është një mënyrë shumë e vrazhdë lobimi për ide të tilla të rrezikshme, nëse dokumenti është i vërtetë dhe autentik”, shprehet Bodo Weber për DW.
Ai shton, se shpreson që situata e re do të inkurajojë vendet e BE-së, që t’i japin “më shumë kontra” mënyrës së rrezikshme të negociatave të përfaqësuesve të BE, konkretisht në Bosnjë Hercegovinë, në këtë moment.
“Këto negociata rrezikojnë ndarjen e mëtejshme etnike të Bosnjë Hercegovinës nën patronatin e BE dhe SHBA, por edhe shpërbërjen e vendit dhe destabilizimin e të gjithë rajonit, që do ta përjetonim po të tillë, po të arrihej marrëveshja për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Kërcënimi është real nga negociatat e jo të pastra dhe jotransparente të përfaqësuesve evropianë dhe më pak nga një përfaqësim i tillë i hapur i ideve etno-nacionaliste si non-paper i famshëm nga Ljubljana”, konkludon Weber.
Një test pa ndikim dhe politikë pa “aktivizim”
Teksti, që krijoi tymnajë në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë BE-në, pretendohet se iu dërgua Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, si pjesë e njohjes me prioritetet, të cilat do t’i përfaqësojë Sllovenia, kur të marrë presidencën e Këshillit të BE në mes të vitit.
Aleksandra Stiglmayer mendon se pas reagimeve që mori, kryeministri slloven nuk do të vazhdojë të këmbëngulë në ide të ngjashme dhe se nuk duhet pritur ndonjë kthesë radikale në politikën e BE ndaj Ballkanit Perëndimor. “Nuk besoj se kjo mund të bëhet bazë për ndonjë politikë të re të BE ndaj Ballkanit Perëndimor. Shumica e vendeve anëtare mbështesin shtetet multietnike, bazuar në të drejtat e njeriut dhe ato civile. Për këtë nuk do të diskutohet më zyrtarisht në Bruksel”, thotë Stiglmayer. Por ajo shton:
“Një impuls i ri në politikën e BE ndaj Ballkanit Perëndimor është i domosdoshëm, por unë nuk shoh se ka një apel të vërtetë për zgjim. Për sa kohë të zvarritet situata në Ballkanin Perëndimor, ndoshta jo në mënyrë fort të kënaqshme, por gjithsesi pa konflikte, vendet anëtare të BE-së nuk do ta shohin atë si prioritet.”
Në bisedë me DW Stiglmayer i bën thirrje BE që t’i ofrojë përfundimisht Ballkanit Perëndimor “diçka vërtet të besueshme”, përfshirë një proces më funksional të pranimit, se “për çfarë dhe në çfarë drejtimi” duhet të punojë Ballkani Perëndimor. “Përndryshe, kam frikë se do të shkaktohet konflikt. “Dy situata veçanërisht problematike janë ajo mes Serbisë dhe Kosovës dhe ajo në Bosnjë dhe Hercegovinë”, përfundon Aleksandra Stiglmayer./ DW