Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar familjen e cila u plagos në shpërthimin e bombolës së gazit në hotelin e tyre në Velipojë, orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Manastirliu shkruan se familja është nën kujdesin e mjekëve dhe infermierëve në reanimacionin e repartit të Djegies-Plastikës në QSUT, të cilët janë duke u kujdesur në maksimum për familjen e plagosur. Gjithashtu ministrja bën me dije se situata mbetet kritike , ndërsa ka theksuar se nëna dhe dy fëmijët janë duke u trajtuar me terapi të plotë.
“Mjekët dhe infermierët në reanimacionin e repartit të Djegie-Plastikës në QSUT, po bëjnë maksimumin për t’u kujdesur për familjen e lënduar në ngjarjen e rëndë në Velipojë. Stafi ynë po bën më të mirën, duke e trajtuar nënën dhe fëmijët me terapinë e plotë të mjekimit, por situata mbetet tejet kritike”, shkruan ministrja Manastirliu.
Kujtojmë se një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Velipojë, ku ka shpërthyer një bombol gazi në një hotel dhe nga zjarri i cili ka përfshirë hotelin e tyre, kanë marrë djegje të mëdha pjesëtarët e familjes.
Bombolat që shpërthyen rreth orës 7 të mëngjesit ishin në një magazinë në pjesën e pasme të hotelit dhe mësohet se kanë shpërthyer njëra pas tjetrës.
Si pasojë, nga zjarri janë dëmtuar tre të rinj dhe një fëmijë, të cilët kanë pësuar djegie të konsiderueshme në trupin e tyre. Të plagosur kanë mbetur Klarisa Gjoka 15 vjeç, Danjela Gjoka 18 vjeç, Enriko Gjoka 19 vjeç dhe Alketa Gjoka 30 vjeç.
Kanë qenë forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse që kanë shmangur që kjo ngjarje e rëndë të merrte përmasa edhe më tragjike, duke nxjerrë 5 bombol të cilat ishin gati për të plasur.