Detaje të reja dalin në dritë nga arrestimi i ish-drejtorit të RTSH-së Thoma Gëllçi me urdhër të SPAK, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, së bashku me 3 bashkëpunëtorë të tij.
Portali “BalkanWeb” mëson sipas SPAK, se ai ka shpallur procedurën e tenderit përpara se të merrte miratimin nga AMA dhe Bordi për hapjen e kanalit TVSH AGRO. Në tenderin për blerjen e pajisjeve si kamera etj, kanë qenë dy kompani. Anëtarët e KVO kanë shpallur fituese kompaninë e cila kishte ofertë 20 milionë lekë më të lartë. Të dyja kompanite kanë patur parregullsi në dokumentacion dhe duheshin skualifikuar. Po ashtu sipas dosjes së SPAK, Thoma Gëllçi ka bërë një shtesë në kontratën me kompaninë fituese TBS96 në shkelje të ligjit. Bashkë me Gëllçin u arrestuan dhe tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave: Julian Tapia, Ervin Muraj dhe Alban Maraveci. Sipas informacioneve të marra mësohet se pak javë më parë, RTSH ka pasur një mbledhje të bordit, ku ka mbyllur edhe ekranin RTSH Agro, për të cilin janë shpenzuar afro 1 milionë dollarë.
Gëllçi dhe tre vartësit e tij janë arrestuar, pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, dhe përkatësisht për tenderin që kap vlerën e 86 milionë lekëve pa TVSH.
Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se shkeljet janë kryer në tenderin me procedurë të hapur, ku personat e arrestuar rezulton se kanë favorizuar dhe nuk kanë bërë një garë të drejtë.
Gëllçi dhe tre punonjësit nuk i kanë pranuar akuzat, duke i kundërshtuar ato, por brenda 72 orëve ata do duhet të paraqiten pranë organeve të drejtësisë për të dhënë llogari për to.
Pas marrjes së indicieve për largimin nga Shqipëria, menjëherë struktura e posaçme është vënë në lëvizje dhe ka urdhëruar arrestimin e ish drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar. Kujtojmë se arrestimi i tij u bë i mundur në Kolonjë, ndërsa tre ish vartësit e tij që kanë marrë pjesë në tenderin abuziv prej 870 milion lekësh janë arrestuar në kryeqytet.