Shoqata e emigrantëve shqiptarë në Greqi i ka dërguar një letër presidentit Ilir meta për t’i shprehur shqetësimin që ata kanë për vendimin e Komitetit Teknik që kërkoi karantinë dy javore pë rata që hyjnë nga Maqedonia dhe Greqia. Sipas shoqatës kjo masë e propozuar pengon të drejtën e votës për emigrantët shqiptarë.
“Nëse një masë e tillë lihet në fuqi, dhe bëhet pengesë për emigrantët që duan të votojnë për të ardhmen e Shqipërisë, ky rast do të ngrihet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si një masë e karakterit politik me qëllime direkte partiake për të cenuar zgjedhjet që duhet të jenë të lira e të ndershme”, thuhet në letër.
Kërkesë për marrjen e masave urgjente lidhur me pengesën për të votuar të emigrantëve shqiptarë
Drejtuar: KËSHILLIT TË MINISTRAVE
MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE
KOMITETIT TEKNIK TË EKSPERTËVE
ORGANEVE DREJTUESE TË KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE
Për dijeni: KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
AVOKATIT TË POPULLIT
OSBE/ODIHR- MISIONI I LIMITUAR PËR VËZHGIMIN E ZGJEDHJEVE
PRANIA E OSBE-SË NË SHQIPËRI
DELEGACIONI I BASHKIMIT EVROPIAN NË SHQIPËRI
AMBASADA E SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS
AMBASADA BRITANIKE
PARTIA SOCIAL DEMOKRATE
PARTIA BALLI KOMBËTAR
PARTIA LËVIZJA DEMOKRATIKE SHQIPTARE
PARTIA BINDJA DEMOKRATIKE
ALEANCA BASHKIMI POPULLOR
LËVIZJA SOCIALISTE PËR INTEGRIM
PARTIA NISMA THURJE
PARTIA LËVIZJA E RE
PARTIA DEMOKRATIKE – ALEANCA PËR NDRYSHIM
PARTIA ALEANCA DEMOKRACIA E RE
PARTIA LËVIZJA PËR NDRYSHIM
PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË
KANDITAT I PAVARUR “BOIKEN ABAZI”
Tiranë
Pas nismës së bërë publike nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ku u kërkohet qytetarëve të denoncojnë çdo parregullsi në lidhje me kryerjen e krimeve elektorale gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, pranë Institucionit të Presidentit të Republikës është administruar në rrugë elektronike peticioni i shoqatave të emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Sipas ankesës, shoqata shpreh indinjatën e thellë ndaj propozimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve në Shqipëri, për vendosjen e një periudhe karantine dy javore, për emigrantët shqiptarë në Greqi që kthehen në Shqipëri përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Sipas shqetësimit të tyre, kjo masë e propozuar pengon dhe u mohon të drejtën e votimit emigrantëve shqiptarë, që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Gjithashtu kjo gjë është cilësuar si një akt diskriminues ndaj shqiptarëve në Greqi, pasi emigrantët e vendeve të tjera lejohen të hyjnë në Shqipëri, ndërsa ata nga Greqia jo. Aleanca bën me dije se, rastet me Covid-19 në Greqi janë 30 për 1 milion banorë, ndërsa në Shqipëri 45 për 1 milion, ndaj ky fakt ngre dyshime se kjo masë është marrë për arsye politike dhe jo shëndetësore.
Nga të dhënat e bëra publike, rezulton se, ditën e djeshme, në datë 19 prill 2021, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që për dy javët e ardhshme, personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia bëjnë karantinë, për të kufizuar përhapjen e COVID-19, nisur nga situata në këto vende si dhe për shkak të lëvizjes së shtuar të pritshme, nga pashkët ortodokse. Vendimi tjetër i Komitetit Teknik lidhet me rikthimin e mësimit të kombinuar në gjimnaze.
Një vendimmarrje e tillë, që ngjan edhe si diskriminim për besimtarët ortodoksë, nuk u shoqërua me kufizime të ngjashme për javën e pashkëve katolike. Ky fakt është një tregues më shumë se kjo vendimmarrje, që përkon me këtë kufizim të vendosur pikërisht një javë para ditës së zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë, në datën 25 prill 2021, bëhet për arsye të pengimit të emigrantëve shqiptarë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. Për më tepër, kur Greqia dhe Maqedonia e Veriut, janë vendet më të afërta prej ku emigrantët shqiptarë në këto vende e kanë më të lehtë të vijnë për të votuar.
Për sa më sipër, Institucioni i Presidentit të Republikës, ju përcjell me shqetësim maksimal këtë shkresë dhe peticionin e ardhur nga shoqatat e emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke ju kërkuar jo vetëm vlerësimin e tij menjëherë, por edhe marrjen e masave të menjëhershme për të mos krijuar pengesa të tilla artificiale, të pambështetura në të dhëna të vërtetuara shkencore të ekspertëve të fushës, dhe që çojnë në cenimin direkt të së drejtës së votës.
Nëse një masë e tillë lihet në fuqi, dhe bëhet pengesë për emigrantët që duan të votojnë për të ardhmen e Shqipërisë, ky rast do të ngrihet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si një masë e karakterit politik me qëllime direkte partiake për të cenuar zgjedhjet që duhet të jenë të lira e të ndershme.