Një incident i vogël është regjistruar në Shkozë gjatë një aktiviteti elektoral të zhvilluar nga kandidati për deputet i koalicionit “Aleanca Madhështore”, Rivelino Çuno. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme dhe është referuar menjëherë në polici nga vetë kandidati.
Sipas uniformave blu, Çuno ka raportuar se është penguar gjatë zhvillimit të aktivitetit të tij elektoral në këtë zonë të kryeqytetit.
Policia ka ndërhyrë dhe ka shoqëruar në komisariat një 42-vjeçare, banuese në Shkozë, e identifikuar si Sh. S.
Në deklarimet e saj, gruaja ka pranuar se ka ofenduar pjesëmarrësit në aktivitet, duke thënë se ishte shqetësuar nga zhurmat që vinin nga oborri i pallatit të saj.
Ajo ka shtuar se nuk ishte në dijeni se bëhej fjalë për një aktivitet elektoral.
Nuk raportohet për veprime të mëtejshme ligjore ndaj saj.