Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Shkodrës, Valbona Seknaj Durraj u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK në korrik të vitit 2019, me konkluzionin se kishte kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm e të rremë të pasurive; kishte mungesë të burimeve të ligjshme si dhe kishte kryer veprime fiktivite me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore; si edhe ka kryer ndërtim të paligjshëm në një truall në Velipojë.
Valbona Seknaj Durraj e filloi karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1998. Për më shumë se një dekadë, ajo punoi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës, ndërkohë që në vitin 2013 u dekretua në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, ku mbajti edhe pozicionin e kryetares. Me vendim të KPA-së të 14 korrikut 2021 ajo u largua përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.
Vlerësimi i KPA
Kolegji i konsideron të pabazuara pretendimet e Seknajt për parregullsi procedurale gjatë procesit të rivlerësimit dhe e ka rrëzuar kërkesën për kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë publike. Gjithashtu, KPA e ka gjetur të drejtë konkluzionin e KPK-së për deklarime të pasakta të pasurisë, pasi është konkluduar se Seknaj nuk ka deklaruar burimet e krijimit të secilës prej pasurive të deklaruara. Gjithashtu, janë gjetur të pabazuara edhe pretendimet e subjektit se “mosevidentimi nga ana e ILDKPKI-së e problematikave në mënyrën e deklarimit të pasurive gjatë tri procedurave të kontrollit të plotë të kryera prej tij ndër vite, mund të justifikonte deklarimin e saj jo në përputhje me ligjin”.
Seknaj nuk ka arritur ta bindë Kolegjin as për mungesat financiare të konstatuara nga Komisioni për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 115,3 m2 në Tiranë në vitin 2004. KPK ka konstatuar se subjekti i rivlerësimit për periudhën 2004 -2010 ka mungesë burimesh të ligjshme financiare për blerjen e kësaj pasurie në shumën – 3.9 milionë lekë.
Si një prej burimeve për blerjen e banesës në Tiranë, Seknaj ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti 66 m2 në Shkodër në vlerën 4.5 milionë lekë, transaksion për të cilin janë hartuar dy kontrata shitje me çmime të ndryshëm dhe të nënshkruara para dy noterëve të ndryshëm. Në njërën prej kontratave rezultonte vlera 3.5 milionë lekë, ndërsa në të dytën 2 milionë lekë, shumë për të cilën dhe ka paguar detyrimet tatimore, prej nga janë ngritur dyshime për evazion fiskal.
Subjekti ka pretenduar se nuk ndodhet në situatën e shmangies nga detyrimet tatimore, për sa kohë ato janë shlyer pjesërisht në kohë reale dhe pjesa tjetër gjatë vetingut. Për të mbrojtur këtë pretendim ajo ka sjellë në vëmendje se KPK i ka njohur si të ligjshme të ardhurat e krijuara nga dhënia me qira e apartamentit të banimit në Tiranë, megjithëse dhe në këtë rast tatimet janë shlyer po gjatë procesit të vetingut.
Kolegji vëren se konkluzioni i Komisionit për pamjaftueshmëri burimesh të ligjshme mbështetet kryesisht në rezultatin negativ financiar të vitit 2004 dhe analiza është përqëndruar në transaksionin e shitjes së apartamentin në Shkodër, të ardhurat e të cilit janë pretenduar prej subjektit në shumën 4.5 milionë lekë, përkundër vlerës 2 milionë lekë të përllogaritur nga Komisioni si të ligjshme, pasi për këtë shumë janë paguar tatimet në kohë reale.
KPA vëren se ka qenë vetë subjekti që ka kryer pagesën e tatimit mbi të ardhurat në dhjetor të vitit 2005, duke e konsideruar këtë fakt si përforcues të konkluzionit se kontrata në shumën 2 milionë lekë është nënshruar me qëllim shmangien e detyrimit tatimor.
“Ky fakt hedh poshtë gjithashtu edhe pretendimet e vetë subjektit të rivlerësimit se vlera prej 2.000.000 lekësh në kontratën e dytë të shitblerjes ka qenë një gabim i noterit”, vijon argumentimin KPA.
Pretendimet për pagesë të detyrimit tatimor gjatë procesit të rivlerësimit janë gjykuar pa efekt në vlerësimin e çështjes konkrete dhe është çmuar i drejtë konkluzioni i KPK për të konsideruar në analizën financiare vetëm shumën 2 milionë lekë.
Janë vlerësuar të pabazuara dhe pretendimet e tjera të subjektit për mospërfshirjen nga Komisioni të gjithë të ardhurave nga pagat dhe dietat, si dhe ato për periudhën kur do të duhej të shtrihej analiza financiare.
Po ashtu, nuk janë konsideruar petendimet e Seknajt lidhur me të ardhurat e saj nga ushtrimi aktivitetit të avokatisë për vitet 1992 –1997, si dhe të ardhurat e realizuara nga aktiviteti privat i bashkëshortit të saj për periudhën 1991-2015, që nuk janë provuar të gjitha me dokumentacion ligjor.
“…Trupi gjykues arrin në përfundimin se mënyra e përllogaritjes nga ana e Komisionit sipas metodologjisë së përcaktimit të fitimit mbi bazën e një marzhi mbi qarkullimin e kryer nuk ka cenuar nivelin e të ardhurave të subjektit të rivlerësimit, për sa kohë ato paraqiten në vlera më të larta sesa ka qenë fitimi i realizuar”, evidentohet në vendim.
Pasi trupi gjykues ka rrëzuar edhe pretendimet për përllogaritje të pasakta matematikore të kryera nga Komisioni, ka konkluduar se Seknaj nuk arriti që të provojë të kundërtën e rezultatit për balancën negative për blerjen e apartamentit në Tiranë.
Ashtu si KPK, Kolegji ka konkluduar se Seknaj nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare dhe për blerjen e një dyqani m sipërfaqe 46 m2 në prill të vitit 1997 për çmimin 30 mijë euro. Megjithëse në deklaratën “veting” subjekti nuk ka pasqyruar burimin e krijimit të kësaj pasurie, gjatë procesit të rivlerësimit ka sqaruar se prona është blerë nga të ardhurat e siguruara prej saj nga puna si avokate dhe nga aktiviteti privat i bashkëshortit.
KPK ka konsideruar se subjekti ka kryer deklarim të rremë për të ardhurat nga aktiviteti privat, pasi kanë rezultuar mospërputhje me të dhënat e administruara nga organet tatimore. Ndërsa Kolegji vlerëson ndryshe duke konsideruar vetëm pasaktësi në deklarime. “…Në kushtet kur për disa vite të aktivitetit privat mungojnë të dhënat e plota zyrtare të organit kompetent mbi fitimet neto të personit fizik E. S., duhet pranuar pretendimi i subjektit se nuk jemi para një deklarimi të rremë”, vlerësontrupi gjykues i KPA dhe shton se pamundësia e subjektit për të provuar të ardhurat nga aktiviteti bashkëshortit bënë që ajo të gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë.
Po ashtu, Seknaj nuk ka arritur të kundërshtojë në Kolegj konkluzionin e KPK për mungesë të burimeve të ligjshme për blerjen e një një toke-truall me sipërfaqe 360 m² nё fshatin Pulaj në Velipojё, me vlerë të deklaruar prej 881 mijë lekёsh në vitin 2012, ku në vijim është ndërtuar një objekt me dy kate.
Ndryshe nga KPK që ka konstatuar se subjekti nuk arriti të provojë burimet e ligjshme të investitorëve që kanë ndërtuar objektin me dy kate, Kolegji vlerëson se ata nuk mund të konsiderohen persona të tjerë të lidhur e për rrjedhojë është gjetur i gabuar ky konkluzion i shkallës së parë të vetingut.
Sipas Reporter.al, lidhur me ndërtimin e objektit pa leje, Kolegji sjell në vëmendje faktin se leja për legalizim është kryer nga bashkëshorti i subjektit, si dhe dakordësinë mes tyre dhe investitorëve që me marjen e lejes, do të hartohej kontrata përfundimtare ku do të saktësoheshin sipërfaqet e ndërtimit që i takonin pronarit. Sipas KPA, këto fakte konfirmojnë se subjekti dhe bashkëshorti ishin në dijeni të plotë që nuk ishte nxjerrë asnjë leje ndërtimi dhe se objekti po ndërtohej në shkelje të legjislacionit përkatës. Në përfundim, trupi gjykues i KPA i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relator Sokol Çomon dhe anëtarë Ardian Hajdarin, Ina Ramën dhe Natasha Mulajn, vendosi lënien në fuqi të vendimit të KPK për shkarkimin e Seknajt.