Policia e Vlorës ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së narkotikëve, duke arrestuar në flagrancë një 48-vjeçar, i identifikuar si Lorenc Tefi.
Kontrolli u krye në një bar-kafe në rrugën “Demokracia”, ku u sekuestruan 55 doza kokainë të ndara gati për shitje dhe 10 fishekë luftarakë.
Tefi, banues në lagjen “Osman Haxhiu”, akuzohet për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” si dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Njoftimi i policisë:
DVP Vlorë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, falë inteligjencës policore. Fshihte kokainën në lokalin e tij dhe e ndante në doza për shitje, vihet në pranga 48-vjeçari. Sekuestrohen 55 doza kokaine dhe municion luftarak.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në kuadër të veprimeve operacionale për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas administrimit të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, organizoi dhe kreu kontroll në një lokal bar-kafe në rrugën “Demokracia”, Vlorë, në posedim të një shtetasi që dyshohej për shpërndarje të lëndëve narkotike. Si rezultat u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi L. T, 48 vjeç, banues në lagjen “Osman Haxhiu”, Vlorë.
Gjatë kontrollit personal dhe në ambientet e lokalit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lëndë narkotike të dyshuar kokainë, të ndara në 55 doza, si dhe 10 fishekë luftarakë. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”.